Journalist Alleges Unmarked Vehicles Used to Detain Protesters
This article was translated automatically from the Albanian original. 🇦🇱 Lexo në shqip
Automjete pa logo dhe pa shenja dalluese të Policisë së Shtetit janë përdorur për shoqërimin e protestuesve në Tiranë. Denoncimi është bërë nga gazetari Osman Stafa, i cili ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si po kryhen ndërhyrjet ndaj qytetarëve gjatë tubimit kundër qeverisë. Sipas gazetarit, automjetet nuk kanë elemente identifikuese që të tregojnë se i përkasin Policisë së Shtetit, ndërsa brenda tyre ndodhen punonjës policie që mbajnë në uniformë mbishkrimin “Operacionalja”. Stafa e ka cilësuar këtë praktikë si të pazakontë, duke vënë në diskutim mungesën e shenjave dalluese në automjetet që përdoren për shoqërimin e protestuesve. Ndërkohë, ndërhyrjet e efektivëve kanë vijuar edhe në sheshin “Skënderbej”, ku policia ka tentuar të shoqërojë qytetarë të tjerë. Pas përplasjeve dhe ndërhyrjeve, protestuesit janë shpërndarë në rrugët e kryeqytetit. Tubimi kundër qeverisë vijon me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Pjesëmarrësit shprehin pakënaqësi për situatën ekonomike dhe kushtet e jetesës, duke pretenduar se politikat qeveritare po ua vështirësojnë gjithnjë e më shumë të ardhmen në Shqipëri.