Eni Vasili firmos me TV TOP Channel
Gazetarja dhe moderatorja e njohur e emisioneve politike, Eni Vasili, i bashkohet familjes së madhe mediatike të “Top Channel”.
Vasili ka firmosur kontratën me drejtuesit e televizionit, duke u bërë kështu pjesë e këtij ekrani. Vasili do të drejtojë emisionin politik më të rëndësishëm të këtij ekrani, të hënën dhe të enjten.
Tashme, Eni Vasili me një karrierë të suksesshme 20 vjeçare në gazetari, do të shfaqet jo vetëm në një logo të re ekrani, por edhe me logo të re emisioni, ashtu siç do jetë risi edhe koncepti i programit në tërësi.
Emisioni politik i drejtuar nga Eni Vasili, do të ketë një logo të re ndërkohë që edhe studio ku do të zhvillohet debati politik, do jetë një tjetër surprizë e këtij sezoni televiziv.
. Në një intervistë për gazetaren Alda Bardhyli në gazetën Mapo ajo tregon motivet që e nxitën për të bërë këtë hap pas 5 vitesh aty.
“Nuk them asgjë të fshehtë nëse pohoj gjithashtu që gushti i nxehtë më ka përfshirë në negociatat më të ethshme, ato me Top Channel. Negociatat zgjatën gati një muaj dhe ka qenë edhe kjo një përvojë që më ka pasuruar. Vendimi nuk ka qenë i thjeshtë dhe negociatat kanë qenë komplekse por të frytshme për sa kohë interesi i përbashkët është t’i japim tregut mediatik një produkt dinjitoz me parametra profesionalë që shpesh mungojnë në studiot e debatit televiziv”, rrëfen Vasili për periudhën e negociatave, përpara se të hidhte këtë hap të rëndësishëm.
E pyetur për mënyrën se si u si u largua nga ‘News24’, Eni Vasili, thotë se ka marrë shumë telefonata nga pjesëtarët e stafit me të cilët punoi për 5 vite, si dhe falenderon pronarin e kësaj media, Irfan Hysenbelliu, i cili e mbështeti në fillesat e projektit të saj.
Pasi tejkalon kohën që punoi në “News 24”, gazetarja tregon arsyen, se përse lëvizi dhe flet me superlativë, për median e re ku do të punojë.
“Sepse Top Channel është Top Channel, televizioni që lindi si një ëndërr e dikujt dhe u bë ëndrra e shumëkujt. Është një nga pasuritë dhe asetet më të rëndësishme kombëtare, një shtëpi mediatike që çdokush do të donte ta ndjente veten pjesë. Jam sigurisht e lumtur që “Top Channel” më ftoi të jem pjesë e skuadrës dhe shpresoj ta justifikoj besimin”, rrëfehet Eni Vasili.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



