Erion Veliaj: Rritja e çmimeve të apartamenteve në Tiranë është lajm shumë i mirë
Të blesh një apartament në Tiranë kohët e fundit është kthyer në një ëndërr pasi realiteti duket i pamundur. Sidomos vështirësitë janë tepër të mëdha për çiftet dhe familjet e reja. Kjo vjen si pasojë e një sërë faktorësh:
Së pari, sipas analizave të mediave dhe të ekspertëve të ekonomisë, çmimi mesatar për M2 në Tiranë aktualisht është 1200 Eur/M2, ndërsa paga mesatare është rreth 525 Euro/muaj.
Së dyti, sipas Indeksit të çmimeve të Fischer House i cili llogaritet nga Banka e Shqipërisë, çmimet mesatare të apartamenteve në vitin 2022 janë rritur me 39% krahasuar me vitin 2021. Ndërsa pagat mesatare janë rritur vetëm me 7% bazuar në tremujorin e dytë të vitit 2022 krahasuar me atë të një viti më parë.
Së treti, një personi me pagën aktuale mesatare i duhen afërsisht 64 vjet për të blerë një apartament në Tiranë në rast se do të merrte kredi. Këtu është marrë në konsideratë fakti se 30% e të ardhurave mujore do të shkojnë për pagesën e këstit mujor të kredisë. Praktikisht në momentin që do të bëhej pronar, qytetari do të ishte gati duke i thënë lamtumirë kësaj bote, në mos po do të kishte ndërrruar jetë përpara shlyerjes së kredisë.

Thënë të gjitha këto, Kryetari i Bashkisë Tiranë në një intervistë për ATSH është shprehur se rritja e çmimeve të apartamenteve në Tiranë është gjë e mirë. Veliaj është përpjekur të justifikohet me faktin se një pjesë e mirë e shqiptarëve kanë shtëpitë në pronësi dhe me rritjen e vlerës së tregut, në rast se do t’i shesin, do të fitojnë më shumë se disa vite më parë.
Por këtu Veliaj harron se vërtetë shqiptarët kanë në pronësi një apartament, por aty pronar është babai dhe mamaja, por jo vëllezërit, motrat dhe vetë individi. Pra nëse shtëpia do të shitej, paratë do të përpjestoheshin sipas përqindjes së pronësisë dhe askush realisht i vetëm nuk do të mund të blinte një shtëpi. Domosdosmërisht do t’i drejtoheshin sistemit bankar për të marrë kredi dhe do të përballeshin me të njëjtat probleme.
Vështirësia më e madhe qëndron natyrisht për çiftet dhe familjet e reja të cilat e kanë thuajse të pamundur të blejnë shtëpi duke punuar në mënyrë të ndershme
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



