Ermal Beqiri blen Horizonin / AKSHI në skemë

Tregu i Teknologjisë së Informacionit, i cilësuar gjerësisht si një nga kanalet më të mëdha të korrupsionit në Shqipëri, po pëson ndryshime të rëndësishme. Ermal Beqiri, një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderëve të IT-së nga AKSHI përmes kompanisë së tij Soft & Solution është duke u shndërruar në një nga aktorët më të fuqishëm dhe kyç të sektorit të IT-së, zhvillime këto që diktohen kryesisht nga lëvizja e parasë publike.

Kapitali ka mësuar se ditët e fundit zoti Beqiri ka mbyllur marrëveshjen për blerjen e kompanisë Horizon, një shoqëri me pronësi në Qipro, e cila është përfituese e disa kontratave publike në Teknologjinë e Informacionit.

Transaksioni nuk është njoftuar ende në Qendrën Kombëtare të Biznesit, serveri i të cilit mirëmbahet pikërisht nga Soft & Solution. Por Kapitali e konfirmoi me 3 burime të pavarura se marrëveshja është mbyllur, ndërkohë që shifra e blerjes nuk bëhet ende e ditur.

Horizon

Horizon shpk është një nga kompanitë e para në fushën e teknologjisë së informacionit në Shqipëri. Aktualisht si pronarë të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit, figurojnë dy agjentë nga një zyra avokatie dhe taksash në Qipro.

Vitin e kaluar Horizon shpk realizoi një xhiro prej 526 milionë lekësh ose 5.1 milionë euro, ndërsa fitimi fiskal i kompanisë ishte rreth 1.7 milionë euro. Aktualisht kjo kompani ka disa kontrata publike të përfituara nga AKSHI si serveri i Agjencisë së Prokurimeve, ai i ministrisë së Financave dhe institucioneve të varësisë, mirëmbajtja e serverit të Tatimeve etj.

Ermal Beqiri është një nga përfituesit më të mëdhenj të parasë publike në tregun e teknologjisë së informacionit përmes kompanisë së tij Soft & Solution. Me blerjen e Horizon, grupi i tij shndërrohet në një aktorët kyç të këtij tregu, të cilët diktojnë lëvizjen e parave të shtetit.

Soft & Solution

Soft & Solution është një kompani, e cila në katër vitet e fundit ka përfituar mbi 18 milionë euro pagesa të drejtëpërdrejta nga thesari i shtetit për tenderët e fituar kryesisht nga AKSHI. Këtu nuk përfshihen tenderët e përfituar nga institucionet publike jashtëbuxhetore, të cilët nuk raportohen në sistemin e thesarit apo kontratat, që fitohen me kompanitë satelite.

Emri i zotit Beqiri u bë i njohur për herë të parë për publikun si një nga ekspertët e pajtuar për të vërtetuar autenticitetin e video përgjimit të Ilir Metës me të ndjerin Dritan Prifti.

Më vonë kompania e tij do të përfshihej në skandalin e tenderëve të byzylykëve për të dënuarit, ndërsa pas monopolizimit të tenderëve të IT-së nga AKSHI, zoti Beqiri u shndërrua në një nga dinosaurët e kontratave publike të këtij sektori.

Vetëm pak më ditë më parë Soft & Solution përfitoi një kontratë tjetër të majme mbi 5.6 milionë euro nga AKSHI për sistemin e qendërzuar të nënshkrimit elektronik.

Gjithçka vërtitet rreth AKSHI-it

Tregu i Teknologjisë së Informacionit cilësohet gjerësisht si në një nga tregjet më të korruptuara në vend. Monopolizimi i të gjithë tenderëve të këtij tregu vetëm tek AKSHI, përveçse çoi në krijimin e një sektori vasal të qeverisë ka krijuar një industri ku bizneset e suksesshme i cakton AKSHI dhe jo tregu.

Por pavarësisht nivelit të lartë të korrupsionit, i cili në sytë e qytetarëve është shpërfaqur me daljen e të dhënave sensitive në pazar apo skandale të paimagjinueshme si vjedhja e të dhënave të TIMS-it, deri tani SPAK nuk ka vepruar. Por përtej SPAK edhe opozita ka qenë e butë në denoncimet e korrupsionit në sektorin e IT-së dhe një nga arsyet besohet se janë lidhjet okulte të krijuara pikërisht nga kompanitë që përfitojnë tenderët e majmë të AKSHI-t, përfshirë Soft & Solution./ Kapitali.al

Publikuar nga Publik Media