Eshtë ndarë nga jeta GURO ZENELI
Ilir Cumani
Eshtë ndarë nga jeta GURO ZENELI, një prej intelektualëve dhe kuadrove më shembullor e të devotshëm për vendin. Rrallë mund të gjesh tek një njeri ku të bashkohen në mënyrë kaq të përsosur dhe organike virtytet dhe cilësitë më të mira njerëzore dhe intelektuale. Publicist, gazetar, enciklopedik, një kuadër i zot me përgjegjësi të mëdha në hierarkinë e shtetit, i palodhur, i paqtë, zemergjerë, dashamirës me këdo që kërkonte ndihmë prej Tij, human si askush tjetër, edhe pse me peshë të madhe e influent në piramidën e hierarkisë më të lartë shtetërore, Ai u karakterizua nga një modesti dhe përulësi kristiane. Buzagaz, i shtruar, inkurajues, idealist, altruist, dashamirës por, edhe ndihmues për të gjithë ata që kishin nevoj për mbështetjen e Tij, Ai do të mbetet në memorien e të gjithë atyre që e kanë njohur si modeli i shkëlqyer i thjeshtësisë dhe i humanizmit. Ndryshe nga çfarë ka ndodh rëndom me korrupsionin administrativ, duke patur shumë përgjegjësi të larta shtetërore, Ai kurrë nuk e përdori pushtetin për interesa personale dhe të ngushta, por me anë të pushtetit i shërbeu vendit dhe popullit të tij që e deshi aq shumë dhe pa kushte, duke bërë një jetë fare të thjeshtë si një idealist i pandreqshëm, por me shumë dinjitet e krenari. Me ikjen e Tij nga jeta e të gjallëve, krijohet një boshllëk i madh dhe i pazëvendësueshëm për familjen dhe të afërmit, për miqtë, shokët dhe të gjithë ish bashkëpunëtorët e tij që e kanë njohur dhe çmuar si Njeri. Në këto momente të dhimbjes së thellë, ju shpreh të gjithëve ngushëllimet më të sinqerta, duke u lutur që ta kalojnë sa më lehtë këtë dhimbje të madhe. Qoftë i lehtë dheu ku do të prehet i qetë!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



