Euro në rënie, i afrohet nivelit më të ulët të 10 viteve. Ja me sa u këmbye sot
Monedha e përbashkët ka shënuar një tendencë të lehtë rënëse përgjatë ditëve të fundit, e cila ka qenë e qëndrueshme dhe graduale, duke e zbritur euron në 124.52 lekë gjatë ditës së sotme, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

Por, që nga mesi i muajit shtator, euro iu rikthye tendencës rënëse që ndonëse e lehtë ka qenë e vazhdueshme.

Banka e Shqipërisë, nga ana e saj, ka sinjalizuar tregjet se ajo nuk ka më ndër plan të ndërhyjë, pasi Shqipëria ka një regjim të lirë të kursit të këmbimit dhe ajo ndërhyn në treg vetëm kur rrezikohet objektivi i saj kryesor, ai i ruajtjes së stabilitetit të çmimeve.
Sipas aktorëve kryesorë në tregun e këmbimit valutor niveli I këmbimit të euros me lekun tashmë është i stabiliizuar. Monedha e përbashkët europiane ka tendencën që të zhvlerësohet me afrimin e afateve të fundit të pagimit të detyrimeve tatimore, ku në datën 14 të çdo muaji bizneset paguajnë detyrimin e TVSH dhe në datë 20 kanë afatin e fundit të pagesës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Volumet e ulëta tregtare kanë detyruar bizneset që të këmbejnë valutën për të paguar detyrimet.
Oferta për valutë, pohojnë aktorët e tregut vijon që të mbetet e lartë, ndërkohë që qarkullimi i monedhës vendase mbetet i ulët. Në këto kushte pritet që presioni për nënçmimin euros të vijojë të jetë i pranishëm.
Nga 1 janari deri në 16 nëntor, kursi mesatar i këmbimit të euros është 128.6 lekë, nga 134 lekë që ishte mesatarja e vitit të kaluar, me një nënçmim prej 5.5 lekësh, duke u luhatur në nivelin më të ulët nga vitit 2008, kur monedha e përbashkët u këmbye mesatarisht me 122.8 lekë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



