Faleminderit Loiseau Quivole
Gjergj Erebara
Mes shumë dëshmish të tjera të dhëna nga ish-të burgosur të kampit të përqëndrimit në Tepelenë, duhet përmendur dëshmia e imamit Mustafa Hoxha (klerik musliman) i cili ka qenë i internuar në këtë kamp më 1949 dhe ka ikur në Jugosllavi në fillim të 1953-it. Në fillim, Hoxha ishte internuar bashkë me familjen e vet në fshatin e Turanit, afër Tepelenës, ku gjendej asokohe kampi i përqëndrimit. Kishte aty më shumë se 2 800 burra, gra e fëmijë.
Kushtet e jetesës ishin të vajtueshme ; të burgosurit merrnin gjithsej 550 gram bukë misri por ata e plotësonin këtë ushqim të pamjaftueshëm duke ngrënë bar dhe kufoma kafshësh. Kështu, në kamp kishte plasur një epidemi ku kishte shtatë a tetë të vdekur në ditë, më e shpeshta fëmijë. Sipas Hoxhës, një grua nga Elbasani kishte humbur pesë fëmijë nga gjashtë që kishte, brenda vetëm gjashtë muajve. Kur kampi u shpërngul në Tepelenë, situata u përkeqësua ende më shumë. Si imam që ishte, vetë Hoxha ka bërë shërbimet fetare në varrimin e 518 muslimanëve, dhe gjatë njëzet muajve që ai ka kaluar në këtë kamp, janë zhdukur 1 200 vetë.
Autoritetet e kampit kishin vendosur një ditë që ta shpërngulnin tek Ura e Bënçës varrezën që asokohe ishte në një fushë ngjitur me kampin. Për pasojë, të burgosurit, burra e gra, është dashur t’i zhvarrosin të vdekurit e vonshëm dhe t’i mbartin në varrezën e re. Ky operacion kishte shkaktuar një epidemi të re dhe vdekshmëria ishte rritur në kamp. Sipas Hoxhës, kushtet e punës në kamp ishin të tmerrshme. Shumica e të dënuarve, në çfarëdo gjendje shëndetësore që të ishin, duhej të mbartnin në shpinë një gjysmë turrë drush që shkonin ta bënin në pyll, 5-6 kilometër nga kampi. Ca të tjerë duhej të përshkonin të njëjtën largësi duke mbartur lëndë të nevojshme për ndërtimin e 70 këmbëve të urës së Bënçës. Personeli i kampit i përndiqte të burgosurit pa pikë mëshirë, që t’i nxiste të punonin më shumë. Dënimet e dhëna ndaj më kokëfortëve ishin mizore ; ndëshkimi më i përhapur ishte lidhja e të burgosurit me tel me gjemba, derisa teli të hynte në mish dhe mbyllja e tij në një qeli për një afat të papërcaktuar.
Sipas Hoxhës, nuk ekzistonte thuajse asnjë shërbim mjekësor në kamp. Domethënë nuk kishte ilaçe ; një mjek e vizionte kampin me intervale të rralla dhe të burgosurit nuk guxonin të kërkonin mjekime nga frika e ndëshkimeve. Ata që u dërguan në spitalin e Gjirokastrës nuk janë kthyer më ; janë zhdukur.
(perkthyer nga frëngjishtja, gjetur nëpër ca arkiva të OKB)
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



