Falsifikonin zhdoganimin e makinave që vinin nga jashtë, dalin në gjyq 20 doganierë e sekserë në Durrës
Një grup prej 20 personash, mes të cilëve sekserë, doganierë e zyrtarë të tjerë, kanë dalë para Gjykatës së Durrësit për tu njohur me vendimin e togave të zeza. Ata akuzohen për “Kontrabandë nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore” dhe “Shpërdorim detyre”.
Hetimet që kanë zgjatur 2 vite janë kryer nga prokurori i Durrësit Afrim Shehu. Nga hetimi i kryer ka rezultuar se shtetasit Qani Kaçmoli, Erdi Çena, Xhuljano Sorra, Glodian Sulaj, Xhevdet Mali, Keni Braçe, Xhani Rama, Edmond Jupe, Altin Maleqka dhe Mereme Dervishi, kanë vepruar në emër të një agjencie doganore “Laura One”.
Ata gjenin qytetarë të cilët kishin nevojë për të kryer procedurën e zhdoganimit të automjeteve të tyre, dhe më pas merrnin prej tyre dokumentacionin origjinal dhe vlerën e plotë të detyrimit doganor.
Më pas, siguronin dokumentacion e origjinës së mjetit me të dhëna të falsifikuara në lidhje me fuqinë motorike dhe vitin e prodhimit, të cilat ja bashkëlidhnin kopjes së deklaratës doganore, e cila arkivohej në doganë me qëllim pakësimin e detyrimit doganor.
Të akuzuarit futeshin në sitemin e doganave me kodet e agjentëve Konstandin Rista dhe Mirjan Driza, dhe prodhonin deklaratë doganore me datë dhe nr. serie të njëjtë me atë të depozituar në Doganë. Dokumentacionin e falsifikuar i bashkëlidhnin dokumentacionit origjinal dhe në përfundim ja dorëzonin qytetarëve. Madje në disa raste këta shtetas merrnin përsipër dhe targimin e automjeteve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



