Fama midis këngëtarit të komunizmit dhe bendit antimysliman
Kur Republika Çeke e mbajti ceremoninë e vet ekuivalente me të përvitshmet “Grammy Awards”, fituesi i çmimit kryesor për kategorinë e meshkujve ishte tejet i parashikueshëm: këngëtari me zë të butë, Karel Gott, që mori çmimin për të 42-ën herë.
Më shumë sesa cilido prej bashkëkohësve të tij, ky performues 78-vjeçar i njohur si “zëri i artë i Pragës”, që për të parën herë e mori çmimin më 1964, ka mbijetuar epoka të tëra dhe ka tejkaluar politikën.
Sot, Gott gëzon vlerësim nga të gjitha gjeneratat derisa ende shërben si burim i nostalgjisë për ata që kishin jetuar nën komunizëm në Çekosllovaki, vend në të cilin bëri emër, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”. Është një lloj përshtypjeje se nacionalizmi i përhapur sikurse edhe zhurma drejt së djathtës po gjejnë një zë jo vetëm në politikën e republikës, por edhe në muzikën e saj.
Në të vërtetë, Gott është dashur ta ndajë qendrën e vëmendjes në ceremoninë e 52-të të “Czheck Nightingale Awards” që u mbajt në fund të nëntorit, me një bend që po bën famë gjithnjë e më të madhe, për shkak të teksteve antiemigrante dhe shpeshherë të dhunshme e antimyslimane.
Grupi djathtist i muzikës heavy metal, “Ortel” ka fituar çmimin e dytë në kategorinë e bendit më të mirë, dhe derisa stili i tyre zor se mund të jetë sikurse i Gott, të dy kanë bërë një thirrje të fuqishme për popullatën që po lufton ta definojë dhe të mbrojë identitetin e vet kombëtar. Në zgjedhjet kombëtare të mbajtura në tetor, një parti e ekstremit të djathtë, “Freedom & Direct Demokracy”, mori më shumë se 10 për qind të votave.
“Definitivisht ekziston një konotacion i krizës së identitetit kombëtar”, ka thënë Pavel Turek, gazetar i muzikës që punon në revistën çeke “Respekt”.
“Është tregues i madh që thuajse të gjithë në Republikën Çeke e duan Karel Gottin”, ka thënë ai. “Popullariteti i tij është i jashtëzakonshëm dhe është vërtet interesante që të gjitha gjeneratat e vlerësojnë. Në njëfarë mënyre, përfaqëson jetesën nën komunizëm pa menduar për politikën, derisa ‘Ortel’ është i njohur vetëm për shkak të politikës”, ka thënë ai.
Gott është i pari që e ka pranuar se sado që muzika e tij nuk është politike, pjesë e thirrjeve të tij është lidhja e fuqishme me periudhën komuniste.
“Është një kombinim gjërash, por natyrisht që edhe nostalgji”, ka thënë ai.
Derisa shumica kanë vuajtur nën komunizëm, Gott e kishte përjetuar një ngritje në vitet ‘60, që e dërguan atë prej të qenit inxhinier në një fabrikë, në një ikonë kombëtare të cilit i lejohej të udhëtonte e performonte jashtë vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


