Fatmir Xhafaj tregon prapaskenat: Zëvendësimi im në strukturat e PS?
Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj në një interviste për Gazetën Tema ka deklaruar se mandati i tretë për Partinë Socialiste nuk konsiderohet si rekord politik, por marrja e besimit të shqiptarëve për të vijuar reformat e nisura. Sipas socialistit PS nuk e ka betejën në këto zgjedhje me demokratët, pasi ata sipas tij kanë një ekip më të vjetër se katër vite më parë.
“Jam absolutisht i bindur se Partia Socialiste dhe Edi Rama si kryetar i kësaj force politike, duhet votëbesuar për një mandat të tretë qeverisës. Jo për rekord elektoral dhe as pse përballë ka një gjysmëalternativë që i kanë thënë që do luash rolin e kundërshtarit të ri për ca vjet se mjafton të zësh radhë pasi pushteti një ditë edhe vjen.
Këto vërtetë janë arsye favorizuese në një betejë elektorale, por jo përcaktuese për besueshmërinë e zgjedhësve. Kryesorja është se çfarë përfaqëson vetë Partia Socialiste, ekipi politik, lidershipi i saj dhe se si i përgjigjet nevojave të zhvillimit të vendit dhe interesave të pritshme qytetarëve.
Ta themi më qartë. Ne do të kërkojmë një mandat të tretë ose më saktë do të kërkojmë një mandat të ri besimi jo se kemi bërë ndonjë heroizëm, por sepse jemi përpjekur fort të bëjmë detyrat siç duhet. Pra do ju kërkojmë shqiptarëve të na besojnë për t’i qeverisur edhe për një 4 vjeçar tjetër. Këtë nuk mund ta bëjmë duke ju thënë se “ne” jemi më të mirë se “ata” se kjo është qartazi e dallueshme dhe të mësuar tashmë me këtë realitet, për njerëzit kjo nuk është e mjaftueshme.
Nëse mbetemi deri këtu kjo do të sillte një abstenim te heshtur të ndjeshëm ditën e votimit. Ndaj është e rëndësishme qasja që do të zgjedhim përball zgjedhësve në këtë konkurrim elektoral. PS në 2021 nuk e ka betejën me PD tashmë me një program dhe ekip edhe më të vjetër se 4 vjet më parë dhe aleatët e saj të lodhur, por me vetveten, me pritshmëritë e larta të qytetarëve ndaj nesh”, thekson Xhafaj.

NDRYSHIMET NË QEVERI
Xhafaj ka komentuar dhe zhvillimet e fundit politike dhe ndryshimet e pritshme në qeveri dhe në strukturat e Partisë Socialiste. Ai ka thënë se kryeministri Rama ka të drejtë të zgjedhë ekipin politike që do të propozojë. Ndërkohë që tha se në politikë ka politikanë që nuk kanë si parim ‘besimin e qytetarëve’, por “interesat e tyre personale.
“Edi Rama është kryetar i Partisë Socialiste dhe statuti aktual i njeh të drejtën të propozojë ekipin politik. Kjo është e drejtë dhe përgjegjësi e tij statutore, por njëherësh është edhe një zgjedhje publike politike që i nënshtrohet gjykimit të opinionit publik, socialistëve, por edhe vlerësimit zgjedhësve në përballjen elektorale me ta.
Kushdo qofshin zgjedhjet e tij dhe vendimmarrja e lirë e anëtarëve të asamblesë, secili duhet të vijojë ta japë kontributin po njësoj duke i qëndruar besnik parimit se busull orientimi për një politikan është në radhë të parë zëri dhe besimi i qytetarëve dhe pastaj karrigia.
Ka politikanë që mbase e kanë alergji këtë parim dhe shpesh herë zërin dhe interesat e qytetarëve i ngatërrojnë dëshpërimisht me atë të interesave personale. I gjeni djathtas dhe i gjeni majtas, kjo besoj se nuk është ndonjë e re që po ju habit. Fjala e një politikani dëgjohet edhe për shkak të bukurisë së tingëllimit të fjalës apo edhe për shkak të karriges ku është ulur, por ama peshohet dhe respektohet për forcën, argumentet dhe kryesorja për vërtetësinë që mbart. Emri edhe mund të të njihet për shkak të karriges, por vlerësohet nga integriteti që shfaq. Emri dhe respekti për të nuk lobohet, dhe jo më të blihet me para apo me pushtetin e pozicionit ku ulesh”, thekson Xhafaj.
“BËRRYLAT” NË PS
Socialisti ka komentuar dhe zërat për një largim të mundshëm edhe të Fatmir Xhafës nga funksionet që ka në parti.
Por ai ka thënë se është mësuar me këto sulme dhe se këto janë pjesë e “bërrylave në PS”. “Mendoj se nuk duhet t’i përfshijmë në rëndësinë e kësaj bisede këto që shkruhen apo përcillen nëpër disa portale, dhe sidomos mënyra neveritëse se si shiten për publikun.
Nuk do mend që bëhen nga individë të cilët për t’i njohur se çfarë përfaqësojnë, mjafton t’i shohësh strukturën e karrierës së zhvilluar përmes servilizmit, lobimeve apo bërrylave ndaj kolegëve, çka nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë në sjelljen dhe qasjen time brenda një ekipi politik.
Kjo e artikujve apo emisioneve të porositur ndaj meje është një teknologji politike e përsëritur të cilën e kam provuar shpesh këto vitet e fundit dhe meqenëse tashmë e di kush qëndron pas tyre, e vetmja gjë që më “shqetëson” është fakti se po lodhen shumë duke premtuar apo paguar”, ka thënë socialisti .

PËRMBYLLJA REFORMAVE
Më tej, ish ministri i PS—së ka thënë se mandati i tretë do të konsiderohet si një mandati i përmbylljes së reformave kyç. “Në gjykimin tim kjo kërkon si domosdoshmëri reflektim në të dyja anët e medaljes, ku në njërën anë qëndrojnë reformat dhe punët shumë të mira të bëra në këto vite qeverisjeje dhe në anën tjetër forca për të reflektuar edhe mbi gabimet e bëra. Kërkohet gjithashtu qartësi në prioritetet kyçe që do duhet të motivojnë një mbështetje të re popullore. Mandati i tretë mund të konsiderohet edhe mandat i besimit qytetar ndaj nesh për përmbylljen e ciklit të konsolidimit të reformave në proces.
Natyrisht që pas dy mandatesh është e lehtë për zgjedhësit që të të vlerësojnë, të të besojnë ose jo për vërtetësinë e fjalës, për peshën e premtimeve të mbajtura dhe kryesorja për integritetin e njerëzve që kanë administruar pushtetin dhe taksat e besuara prej tyre. Ndaj ndër të tjera duhet një reflektim i fortë për të ndërtuar dhe prezantuar një ekip me integritet, kohezion dhe gjithëpërfshirje, një ekip me njerëz pa konflikt interesi me ndershmërinë dhe vlerat që PS përfaqëson, mbron dhe zhvillon, me vetë programin e saj politik e qeverisës”, thekson ai.
PRIORITETET
Në intervistën e tij Fatmir Xhafaj ka renditur dhe pesë pikat kryesore ku duhet të fokusohet programi i Partisë Socialiste, për të fituar mandatin e tretë. “Para së gjithash është e domosdoshme një analizë e qetë dhe e thelluar. Mbi këtë bazë lipset një program i qartë, i thjeshtë dhe konkret për një mandat të ri që të synojë thellimin e reformave të ndërmarra, garancinë e zbatimit të tyre dhe kryesorja një qasje të re ndaj pritshmërive të qytetarëve për një jetë më të mirë.
Në këndvështrimin tim fushat kyçe ku do duhej të fokusohej ky program mund të ishin:
1.Konsolidimi i reformave të filluara apo në proces zbatimi të nisura përgjatë këtyre dy mandateve. Është në interes të së ardhmes së vendit që të mbyllet suksesshëm ky cikël reformash shtet-formuese. Njerëzit shpresojnë dhe duhet të marrin garanci se ato do të shkojnë deri në fund. Ndaj mendoj se prioritet për një mandate të tretë duhet konsideruar konsolidimi i reformave në drejtësi, siguri, shëndetësi, arsim dhe teknologji, me theks të veçantë rininë.
2. Padyshim pjesë e rëndësishme e këtij projekti edhe në përgjegjësinë e vazhdimësisë është edhe aftësia e përgjegjshmëria që qeveria socialiste po dëshmon për të përballuar me sukses fatkeqësi të mëdha natyrore si tërmeti dhe pandemia. Një mandat i tretë në këtë moment për vazhdimin e qeverisjes nga PS është një garanci më shumë për vazhdimin e këtij projekti të madh e me rëndësi për jetën dhe sigurinë e shëndetit të qytetarëve.
3. Lufta kundër korrupsionit duhet të konsiderohet prioritet madhor. Edhe pse është bërë shumë në këtë aspekt, personalisht korrupsionin e konsideroj gangrenën më të madhe në këtë vend i cili duhet të vazhdojë jo thjesht të mjekohet, por të operohet thellësisht pasi në të kundërt na rrëzon në shtratin e vdekjes institucionale. Është koha që me ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë të bëhet një hap cilësor veprimi në goditjen dhe ndëshkimin e këtij fenomeni. Ky është momenti për t’u distancuar nga njerëz të korruptuar që shpesh perceptohen jo pa të drejtë si të tillë dhe që i kanë dhënë dhe po i japin një kosto të madhe Partisë Socialiste gjatë qeverisjes së saj. Janë bërë hapa përpara përmes një sërë reformash në këtë fushë dhe kryesisht në shërbimet ndaj qytetarëve, por fenomeni është prezent, i shtrirë dhe kryesorja veprues.
Socialistët e ndershëm, qytetarët e këtij vendi që na mbështesin prej dy mandatesh, presin të shohin një qasje shumë më aktive me shembuj konkret në këtë fushë të shoqëruar me ndëshkimin e ashpër politik, administrativ dhe penal ndaj tyre. Besoj fort se ky është kyçi për të siguruar besimin për një mandat të tretë qeverisës. Ka shumë njerëz që janë skeptik për një gjë të tillë, por personalisht besoj fort se PS i ka mundësitë ta bëjë këtë hap të guximshëm. Ndoshta është dhe shansi i vetëm gjykuar nga faktorët dhe aktorët aktualë në tregun politik shqiptar. PS është aktualisht e vetmja forcë politike që ka vizionin, aftësit, përgjegjshmërinë dhe ka brenda saj njerëzit e ndershëm për tu përballur me këtë sfidë, që do ta konsolidonte atë realisht dhe për një kohë të gjatë si parti e shpresës, si forcë e madhe reformatore dhe përfaqësuese reale e interesave të qytetarëve.
4.Ekonomia padyshim mbetet prioriteti kyç për të garantuar besimin e qytetarëve shqiptarë. Krijimi i mundësive konkrete për rritjen e hapësirave për punësimin e njerëzve dhe veçanërisht të të rinjve, mbetet prioritet parësor për zgjidhje. Ashtu sikundër e tillë duhet konsideruar edhe mbështetja e fortë ndaj biznesit të vogël dhe të mesëm me politika favorizuese, në vazhdim të hapave të konsiderueshëm këto vite në këtë fushë. Kryesorja është hapja e ligjeve dhe praktikave që garantojnë konkurrencën e lirë në treg si prioritet për të bërë ndryshimet e domosdoshme në mënyrë që ekonomia jonë të bëhet shpresëdhënëse për të gjithë përmes frymës konkuruese dhe garës reale në treg, hapësirës për investime të reja me theks investimet e huaja dhe zhvillimet e reja teknologjike që ofrojnë vende pune afatgjata, veçanërisht për të rinjtë.
5. Rinia duhet të jetë fokusi kryesor i një mandati të tretë për PS. Ajo çfarë shohim në këtë aspekt në mënyrën se si disa parti janë duke e përdorur këtë çështje dhe vet të rinjtë është turpëruese për ne sot dhe e dëmshme për gjeneratat e ardhshme. PS mund dhe duhet të prezantojë një program të dedikuar për rininë me një qasje të re shumë më proaktive dhe më ambicioze me angazhime konkrete për arsimimin, rritjen e shëndetshme, krijimin e familjeve të qëndrueshme, punësimin, incentivimin e përfshirjes në biznes dhe aftësimin e tyre me sfidat e reja të zhvillimit bashkëkohor me fokus për t’ju dhënë motiv e besim për të jetuar dhe kontribuar për vendin e tyre, por edhe për thithjen e “trurit” të të rinjve e të rejave të arsimuar jashtë dhe që duan të kontribuojnë për vendin.
PS ka përgjegjësinë, por edhe vizionin e kapacitetet ta prezantojë një program të tillë të fokusuar te gjenerata e ardhshme edhe sepse ky ka qenë edhe fokusi i reformave të nisura në këto vite për një qeverisje më të mirë, për një Shqipëri shumë më të drejtë dhe të begatë për brezat e ardhshëm.
Partia Socialiste i ka kapacitetet për ta konceptuar dhe prezantuar një program të ri qeverisës ambicioz duke hapur një debat të ri me qytetarët për Shqipërinë e viteve të ardhshme. Në këtë debat të dëgjohen realisht ekspertë dhe profesionistë të fushave respektive e kryesisht ata me kontribute jashtë makinerisë shtetërore por edhe grupe të interesit, përfaqësuese të komuniteteve të caktuara”, thekson Xhafaj./Gazetatema.net
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



