Festivali i RTSH pa moderatore? Zbulohen prapaskenat e forta
Festivali i Këngës në RTSH ka bërë publike datat e edicionit të 63-të, i cili do të zhvillohet më 17, 18, 19 dhe 20 dhjetor. Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, organizatorët konfirmuan se skena e Pallatit të Kongreseve do të mbledhë emra të njohur të muzikës shqiptare, ndërsa interesi këtë vit është edhe më i lartë për shkak të përfaqësimit në Eurovision, të cilin e fiton kënga triumfuese.
Megjithatë, ndryshe nga vitet e kaluara, këtë edicion nuk po komentohet vetëm për listën e artistëve, por për një tjetër detaj që ka krijuar “ngërç” brenda institucionit: zgjedhja e moderatorëve.
Përplasja: Salsano Rrapi apo moderatorët e RTSH?
Sipas burimeve, organizatorët kanë kërkuar që spektaklin ta drejtojë Salsano Rrapi, së bashku me një moderatore. Por drejtuesit e RTSH janë të prirur të zgjedhin figura të brendshme të televizionit publik, si Fjodora Fjora dhe Flori Gjini, për shkak të kostos shumë më të ulët.
Fillimisht u mendua emri i Jonida Shehut, por dëshira për të sjellë “frymën e rinisë” në skenë i ka orientuar drejt Arilena Arës, e cila është propozuar si moderatore. Problemi? Pagesa e saj e lartë, që mund të mos përballohet nga buxheti i RTSH, i cili po has vështirësi ekonomike.
Festivali nis përgatitjet, por prezantuesi ende nuk është vendosur
Burime brenda institucionit bëjnë me dije se drejtuesja e Festivalit, Elhaida Dani, ka kërkuar sërish që Salsano Rrapi të jetë prezantues. Megjithatë, vendimi nuk është marrë ende dhe diskutimet vazhdojnë, edhe pse festivali është vetëm pak javë larg.
Ndërkohë, projekti i paraqitur më herët nga Arbana Osmani dhe Luana Vjollca është refuzuar, pikërisht për shkak të pagesave të konsideruara shumë të larta nga RTSH. Kjo do të thotë se sivjet, në Pallatin e Kongreseve nuk do t’i shohim as Arbanën, as Luanën.
Kush do të ngjitet në skenë?
Derisa RTSH të marrë vendimin final, emrat më të përfolur mbeten:
-
Arilena Ara, nëse arrihet marrëveshja financiare;
-
Fjodora Fjora, si zgjedhja më e mundshme dhe më e përballueshme për buxhetin.
Me festivalin që nis më 17 dhjetor, mbetet në pritje njoftimi zyrtar për moderatorët që do të drejtojnë netët më të rëndësishme të muzikës live në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



