FH: Mazhoranca përfitoi nga fraksionet në PD dhe kaosi në Kuvend

Organizata Freedom House, me seli në Uashington, në raportin e fundit “Vendet në Tranzicion 2024”, nuk e ka ndryshuar vlerësimin për Shqipërinë, duke e cilësuar si një vend me sistem hibrid të qeverisjes. Vendi ynë mbetet në 46 pikë nga 100 në total.

Në kapitullin për Shqipërinë, Freedom House vë në dukje se emokracia e Shqipërisë përjetoi sfida të shumta në vitin 2023, veçanërisht gjatë zgjedhjeve lokale të majit, të cilat konsoliduan më tej pozitën dominuese të partisë në pushtet në vend.

Organizata ndalet te partia kryesore opozitare, ajo demokratike, për të cilën thotë se vijoi të përjetonte konflikte të brendshme dhe u nda në fraksione të drejtuara nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha.  Gjithashtu veçon edhe kaosin në Parlament.

“Fragmentimi i Partisë Demokratike pati një efekt përhapës në rolin që luan opozita si në mbajtjen e llogarisë së qeverisë ashtu edhe në kontributin në funksionalitetin bazë të parlamentit, duke rezultuar në përplasje të dhunshme në parlament në dy muajt e fundit të 2023 që minuan rolin e rëndësishëm të legjislaturës në një demokraci parlamentare”, nënvizon Freedom House.

Kjo e fundit nënvizon se qeveria shfrytëzoi situatën për të penguar më tej autoritetin e parlamentit për të kontrolluar qeverinë, duke miratuar një sërë ligjesh të reja në dhjetor 2023. Këtu nënvizohen ashpërsimi i ndëhskimeve ndaj deputëtëve, që e bëjnë më të vështirë për opozitën, në rastet kur kërkon hetime parlamentare mbi vendimmarrjen e qeverisë.

Publikuar nga Publik Media