Fijet e errëta që lidhin ish-presidentin Meta me “të fortin e Niklës”
Durim Bami në pranga, rruga drejt ekstradimit dhe lidhjet me politikën shqiptare
Në një veprim të fundit nga policia e Dubait, Durim Bami është arrestuar për herë të dytë dhe këtë herë procedura për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë duket thuajse e sigurt. Ky zhvillim vjen në një kohë kur tensionet për krimin e organizuar dhe lidhjet e tij me politikën shqiptare janë në rritje. Pasi u arrestua më herët dhe arriti të lirohej, kësaj here situata duket se po merr një rrjedhë tjetër, duke i hapur rrugë një ekstradimi të mundshëm që, sipas analistëve, mund të zbardhë disa nga krimet dhe ngjarjet e fshehta që kanë tronditur vendin në dekadën e fundit.
Një javë pas arrestimit të Ilir Metës – një koicidencë apo lidhje?
Arrestimi i Durim Bamit vjen vetëm një javë pas arrestimit të Ilir Metës, duke ngritur dyshime për ndërlidhjet mes tyre. Për shumë vite, Meta dhe Bami kanë qenë në qendër të spekulimeve për lidhje të dyshimta me botën e krimit. Në vitin 2015, ish-deputeti Tom Doshi hodhi në publik një akuzë të rëndë ndaj Metës, duke deklaruar se ky i fundit kishte porositur një atentat ndaj tij. Sipas Doshit, Meta kishte paguar Bamin plot 500 mijë euro për eliminimin e tij. Një akuzë që ndezi debate të forta dhe përplasje mes politikës dhe organeve të drejtësisë.
Skandalet dhe të dyshuarit: një rrjet i ngatërruar krimesh dhe tradhëtish
Në deklaratën e tij, Doshi përmendi gjithashtu emrin e Fatjon Skënderit, të dyshuar si ndërmjetës mes Metës dhe Bamit. Në hetimet e kohës, Skënderi pranoi njohjen me Kryemadhin dhe tregoi për takime në një lokal në Kombinat. Për shumë kë, këto janë sinjalet e para të lidhjeve të familjes Meta me botën e krimit, një lidhje që nuk u arrit të provohej plotësisht nga drejtësia, por që hapi debat të madh në opinionin publik.
Nuredin Dumani, një tjetër figurë e botës së krimit, ka përmendur Metën në dëshmitë e tij, duke deklaruar se kishte dëgjuar për përfshirjen e këtij të fundit në vrasjen e Aleksandër Ndokës, vëllait të Arben Ndokës. Ky krim ndodhi më 9 dhjetor 2017, kur Aleksandër Ndoka u gjet i vrarë në makinën e tij përpara banesës. Ngjarja ndodhi në kushte tipike të stilit mafioz, duke lënë të kuptohet se kishim të bënim me vrasës me pagesë. Dyshimet për këtë ngjarje u thelluan pasi, vetëm disa muaj më parë, ishte përplasja me LSI dhe Ilir Metën që kishte krijuar një tension të fortë midis Ndokajve dhe Metës.
Vrasjet dhe zhdukjet që ndërlidhen me emrin e Durim Bamit
Përfshirja e Durim Bamit në krime të ndryshme e ka bërë atë një figurë kyçe në botën e krimit, sidomos në lidhje me vrasjen e Aleksandër Ndokës, për të cilën Dumani ka deklaruar se ishte porositur nga Ilir Meta. Në të njëjtën linjë dyshimesh, Artan Santo është një tjetër viktimë e botës së krimit ku Bami përmendet si i dyshuar. Një tjetër dëshmitar, Enver Stafuka, i cili përmendej si i përfshirë në vrasjen e Santos, u zhduk në mënyrë të mistershme. Familjarët e Stafukës kanë akuzuar Bamin si të përfshirë në zhdukjen e djalit të tyre, duke e cilësuar atë si një tradhtar të vjetër.
Ekstradimi – goditje për botën e krimit apo një tronditje për politikën?
Nëse Bami ekstradohet dhe zgjedh të bashkëpunojë me drejtësinë, ai mund të ofrojë të dhëna të reja që mund të trondisin skenën politike shqiptare. Për shumë analistë, më i rrezikuari në këtë mes është Ilir Meta, emri i të cilit del shpesh në dëshmitë dhe akuzat që Bami dhe Dumani kanë përmendur ndër vite. Arrestimi dhe ekstradimi i Bamit mund të sjellë zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale dhe lidhjeve të mundshme të politikës shqiptare me botën e krimit, duke i vënë përballë drejtësisë ata që dikur mendoheshin të paprekshëm.
Nëse Durim Bami vendos të flasë, shqiptarët mund të presin një të vërtetë tronditëse që ndërlidh krimin e organizuar dhe politikën në nivelet më të larta.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



