E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Financat tentuan të shtrijnë TVSH në 2015-n dhe në kohën e PD-së, por u tërhoqën; Ja arsyet
Uncategorized

Financat tentuan të shtrijnë TVSH në 2015-n dhe në kohën e PD-së, por u tërhoqën; Ja arsyet

Që në fillim të vitit 2014, Ministria e Financave, në kohën kur drejtohej nga Shkëlqim Cani, ka pasur në plan që të fuste në skemën e TVSH-së të gjithë biznesin, si rrjedhojë e presionit nga subjektet e mëdha. Këto të fundit gjithnjë e kanë kërkuar këtë masë, si një mjet për të nxitur faturimin në të gjithë zinxhirin e tregtimit dhe shërbimeve. Ky ishte një plan për t’u zbatuar, që në vitin 2015, si një masë për të luftuar informalitetin, teksa sipërmarrjet me xhiro 5 dhe 8 milionë lekë nuk pranonin faturë kur ofrohej ky prag, ndërsa të mëdhenjtë autofaturonin biznesin e tyre duke krijuar TVSH kaskadë.

Por, ekspertë që kanë punuar në atë kohë pohojnë se Ministria u tërhoq, për shkak të kostove të larta të administrimit fiskal që do të rezultonin nga futja e menjëhershme në skemën e TVSH-së së mbi 80 mijë bizneseve (sa është aktualisht numri i subjekteve që nuk janë në skemën e TVSH-së, sipas tatimeve). Një tjetër problem ishte dhe kosto e shtuar për mbajtjen e kontabilitetit për këto biznese.

Kjo lëvizje, thonë ekspertët, nuk gjeti as mbështetjen e FMN-së, që është e mendimit se nuk është eficiente ulja e pragut, pasi kjo rrit kostot administrative dhe sjell shume pak të ardhura shtesë në buxhet. FMN është pro rikthimit të tatimit fiks mbi biznesin, që u hoq në fillim të vitit 2015, por nuk e ka mbështetur shtrirjen e TVSH-së tek biznesi i vogël.

Edhe me parë ka pasur përpjekje për të azhornuar një nismë të tillë. Sherefedin Shehu, që ka qenë zëvendës ministër financash në kohën e qeverisjes të së djathtës pohoi për “Monitor” se kapacitetet administrative dhe teknike nuk e kanë mundësuar aplikimin e TVSH në nivelin zero.

Ekspertët: Shtrirja e TVSH-së ka më shumë kosto sesa sjell të ardhura

Kasem Seferi, me një përvojë të gjatë në sistemin tatimor, është i mendimit se futja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së vetëm sa do ta ngarkojë sistemin me kosto të panevojshme, ndërsa nuk do i japë zgjidhje problemit të informalitetit dhe as do të ketë efekt në shtimin e të ardhurave në buxhet. Kjo lëvizje, thotë ai, i heq biznesit kohën e punës, rrit çmimet, ul fuqinë blerëse, teksa shoqëria harxhon më shumë kohë për inproduktivitet sesa për produktivitet, në një vend me popullsi të varfër.

Seferi pohoi se kur u zbatua për herë të parë TVSH në vitin 1996 kufiri ishte 2 milionë lekë. Më pas ky kufi i rrit në 5 milionë lekë e më pas në 8 milionë lekë, për të zbritur sërish para pak vitesh në 5 milionë lekë. Kur kufiri ishte 5 milionë lekë (për herë të parë), tregon ai, FMN hartoi një studim, ku rezultoi se administrata tatimore shpenzonte më shumë para duke u marrë me biznesin e vogël, sesa arkëtonte të ardhura.

Administrata tatimore ka vetëm 1600 punonjës, që nuk do të arrijnë të kontrollojnë 80 mijë biznese, pohon ai.

Seferi sjell në vëmendje piramidën e të ardhurave, sipas të cilës 1% e tatimpaguesve sjellin rreth 65% të të ardhurave, ndërsa biznesi i vogël nuk sjell më shumë se 10% të të ardhurave.

Seferi pohon se nuk ka nevojë të futet në skemën e TVSH-së, pasi biznesi i vogël mund të kontrollohet duke i kërkuar atij faturat e blerjes.Ai rekomandon që evazioni të luftohet me stimuj dhe jo me masa që dëmtojnë një nga segmentet më të rëndësishme në ekonomi përsa i përket punësimit.

Shqipëria, të ardhurat më të ulëta në rajon nga TVSH

Të ardhurat nga TVSH në fund të vitit 2016 ishin 8.7% e PBB-së në fund të vitit 2016. Ky është niveli më i ulët në rajon, ku Maqedonia ka rendimentin më të mirë, në rreth 14% të PBB-së, ndërsa mesatarja është në 11-12%. Viti më i mirë ka qenë 2008, ku buxheti arkëtoi deri në 10% të PBB-së dhe më pas, me ngadalësimin e rritjes ekonomike, të njëjtën linjë ndoqi dhe TVSH-ja, që është tregues direkt i konsumit në ekonomi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.