E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Fitore e dyshimtë e Interit, tërbohet Juventus: Ndeshje e manipuluar!
Lajme

Fitore e dyshimtë e Interit, tërbohet Juventus: Ndeshje e manipuluar!

Një përballje elektrizuese dhe e mbushur me polemika shënoi javën e 25-të të Serie A, ku Inter triumfoi 3-2 ndaj Juventus falë një goli dramatik në minutën e 90-të nga Piotr Zielinski.

Zikaltrit e nisën më mirë sfidën dhe kaluan në avantazh që në minutën e 17-të, kur një krosim i Luis Henrique u devijua në mënyrë fatkeqe nga Andrea Cambiaso, duke përfunduar në rrjetë dhe duke befasuar portierin Michele Di Gregorio.

Reagimi i bardhezinjve ishte i menjëhershëm. Vetë Cambiaso shlyeu gabimin në minutën e 26-të, duke shënuar golin e barazimit pas një aksioni të ndërtuar mirë dhe asistit të Weston McKennie.

Pjesa e parë u karakterizua nga ritëm i lartë dhe tension maksimal. Interi goditi dy herë shtyllën, ndërsa në minutën e 42-të erdhi episodi që ndryshoi rrjedhën e ndeshjes. Pierre Kalulu, i ndëshkuar më herët me karton të verdhë, u përjashtua me të kuq për një ndërhyrje ndaj Alessandro Bastoni. Vendimi i gjyqtarit shkaktoi protesta të ashpra nga kampi bardhezi, pasi pamjet televizive lanë dyshime për intensitetin e kontaktit. VAR nuk ndërhyri dhe Juventusi mbeti me dhjetë lojtarë për gjithë pjesën e dytë.

SCANDALO INTER-JUVE: espulso KALULU ma il ROSSO era per BASTONI?! 🤯

Tensioni shpërtheu në fundin e pjesës së parë. Drejtuesit e Juventusit reaguan ashpër ndaj vendimit për kartonin e kuq të Kalulut, duke e konsideruar vendimin skandaloz. Në tunelin drejt dhomave të zhveshjes, nervat ishin në limit.

Në rresht të parë ishte trajneri Luciano Spalletti, i cili iu drejtua gjyqtarit me tone të ashpra duke akuzuar për deformim të lojës. Situata u tensionua më tej kur drejtuesit bardhezi ndërhynë për të qetësuar situatën.

Edhe legjenda e klubit, Giorgio Chiellini, ndërhyri duke kundërshtuar vendimin dhe duke kërkuar shpjegime nga gjyqtari, në një atmosferë të ndezur që pasqyroi gjithë dramatikën e “Derbit të Italisë”.

Epërsia numerike e Interit u konkretizua në minutën e 76-të, kur Sebastiano Esposito shënoi me kokë pas një asistimi të saktë nga Federico Dimarco.

Megjithatë, Juventusi nuk u dorëzua. Në minutën e 83-të, Manuel Locatelli realizoi një gol spektakolar me të djathtën nga distanca, duke barazuar në 2-2 dhe duke rikthyer emocionet në kulm në San Siro.

Kur gjithçka dukej se do të mbyllej në barazim, në minutën e 90-të Zielinski lëshoi një goditje të fortë nga jashtë zone që përfundoi në rrjetë, duke vulosur fitoren 3-2 për Interin dhe duke shpërthyer festën e tifozëve vendas.

Me këtë triumf, Interi shkëputet në +8 pikë nga ndjekësit në renditje, ndërsa Juventusi largohet nga fusha me krenari për rezistencën në inferioritet numerik, por me polemika të forta për arbitrimin që pritet të diskutohen gjatë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.