E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Flakët nuk ndalen prej 6 ditësh, zjarri “pushton” Dardhën e Librazhdit
Lajme

Flakët nuk ndalen prej 6 ditësh, zjarri “pushton” Dardhën e Librazhdit

Një zjarr i fuqishëm vijon të përfshijë prej gjashtë ditësh zonën pyjore të fshatit Dardhë, në Bashkinë e Librazhdit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në mjedis dhe duke vënë në sfidë strukturat e emergjencës. Flakët kanë avancuar në një territor të gjerë, të favorizuara nga temperaturat e larta, era e fortë dhe prania e bimësisë së thatë.

Në terren janë angazhuar dhjetëra efektivë të shërbimit zjarrfikës të Librazhdit, të mbështetur nga strukturat e emergjencave civile, të cilët po punojnë pa ndërprerje për izolimin e vatrave aktive dhe frenimin e përhapjes së zjarrit. Megjithatë, kushtet e vështira atmosferike dhe terreni i thepisur malor po e bëjnë ndërhyrjen tepër të ndërlikuar.

foto galeri

Për shkak të mungesës së aksesit për mjetet zjarrfikëse në disa zona, ekipet janë detyruar të ndërhyjnë në këmbë, duke operuar në disa fronte njëkohësisht për të vënë nën kontroll flakët. Prioritet mbetet mbrojtja e sipërfaqeve pyjore dhe shmangia e përhapjes së zjarrit drejt zonave të tjera.

Zona e Dardhës në Librazhd është e njohur për pasuritë e saj natyrore, ndaj dëmet mjedisore pritet të jenë të mëdha. Fatmirësisht, deri në këto momente nuk raportohen persona të lënduar dhe vatra e zjarrit ndodhet larg zonave të banuara, duke mos rrezikuar banesat.

foto galeri

Sipas të dhënave nga terreni, një faktor që ka ndikuar në përhapjen e shpejtë të flakëve është edhe prania e sasive të mëdha të lëndës drusore të thatë, e mbetur nga shfrytëzimi i pakontrolluar i pyjeve ndër vite. Kjo ka krijuar kushte ideale për përhapjen e zjarrit në sipërfaqe të gjera.

Ndërkohë, Qarku i Elbasanit ishte paralajmëruar më herët nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile si një zonë me rrezik të lartë për zjarre, për shkak të valës së të nxehtit dhe temperaturave ekstreme që kanë përfshirë vendin. Autoritetet vijojnë të mbajnë nën monitorim situatën, ndërsa përpjekjet për shuarjen e plotë të flakëve vazhdojnë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.