Flamur Noka flet për protestën e së hënës: Dalim për të mos lejuar që pushteti i Ramës të nxjerrë jashtë ligjit PD-në
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së së Rithemelimit, Flamur Noka, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar ka folur në lidhje me protestën që pritet të zhvillohet të hënën para Parlamentit.
Noka zbuloi arsyet se pse do të mblidhen në protestë, ndërsa shtoi se nuk do të lejojnë që Rama të nxjerrë jashtë ligjit forcën e parë të pluralizmit, Partinë Demokratike.
“Kjo krizë kombëtare, ky hon i madh rreziku, që Edi Rama ka hapur si asnjëherë më parë ndërmjet palëve, duke kërkuar asgjësimin e opozitës, të kundërshtarit politik si armik, na fton që të ngrihemi. Të gjithë bashkë.
Të hënën ne dalim në protestë te Parlamenti që Rama ka bllokuar, sepse ai është kuvendi i përfaqësuesve të popullit opozitar, të popullit shqiptar, jo të Lindës së radhës.
Sonte, të hënën dhe cdo ditë, ne dalim te Rruga e Shpresës për t’i thënë JO burgosjeve politike, pavarësisht nëse ato janë për Sali Berishën, Fredi Belerin apo Arben Ahmetajn. Ne dalim kundër porosive dhe pritave që zbaton SPAK-u për hatër të Edi Ramës.
Të hënën ne mblidhemi për t’i thënë shqiptarëve dhe botës se, pse Amerika e dënon McGonigalin për tradhti dhe korrupsion, por SPAK, kantautorin, bashkëautorin dhe bashkëfajtorin e agjentit të FBI, e lejon të dalë e të shesë dokrra, si luftëtar i anti-korrupsionit?!
Të hënën ne dalim për t’u thënë, për të njëmijtën herë, shqiptarëve dhe botës se, Edi Rama dhe Erion Veliaj janë pronarë faktikë të inceneratorëve dhe, se duhen hetuar si të tillë.
Ne dalim për të mos lejuar që pushteti i Ramës të nxjerrë jashtë ligjit forcën e parë të pluralizmit, Partinë Demokratike. Për të mos lejuar që Rama i etërve të burgosë dhe dënojë, me këlyshët e rilindur të Sigurimit, liderin historic, jo vetëm të forcës sonë, por të pluralizmit shqiptar”, tha Noka.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



