Flet motra e të mbijetuarës nga aksidenti në Qafë-Muzinë: Po vinte në Sarandë, më tha kam një parandjenjë të keqe
Motra e 25-vjeçares Greta Kaberdini që i mbijetoi aksidentit të rëndë ditën e sotme, është shprehur se e plagosura është në gjendje të mirë shëndetësore.
Me lot në sy dhe me zemrën e tronditur, ajo thotë për mediat se ka pasur një komunikim me të motrën.
25-vjeçarja ishte nisur nga Tirana drejt Sarandës për t’iu bashkuar familjes me pushime.
“Motra tha që është mirë, i dhimbte krahu. Kam pasur vetëm një komunikim një minutë me motrën, nuk ka fat më të madh që ajo është gjallë. Nuk e di se çfarë të them. Motra po vinte tek unë, ishim në Sarandë. Më tha që kam një parandjenjë të keqe, zoti është i madh” – tha motra.
Aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 15:30 në aksin Gjirokastër Sarandë në zonën e njohur si Qafë-Muzina.
Një fuoristradë i ka prerë rrugën furgonit të linjës, Tiranë-Sarandë duke u përplasur, ku kjo e fundit ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në greminë.
Si pasojë e këtij aksidenti, kanë humbur jetën 5 persona që ndodheshin në furgon, ndërkohë që 25-vjeçarja Greta Kaberdini ka arritur t’i shpëtojë plagëve të marra.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



