Foto/ U ekzekutua me armë zjarri me silenciator
28-vjeçari është djali i ish-gjyqtarit
Klajdi Prendi, i riu që u ekzekutua me armë zjarri me silenciator në Tiranë është djali i ish-gjyqtarit, Fran Prendi.
Fran Prendi ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në ish-Gjykatën për Krimet e Rënda prej vitit 2006, detyre që e vijoi për një vit edhe në Gjykatën e Posaçme.
Në nëntor 2020 ai u largua nga sistemi i drejtësisë me dorëheqje, pa kaluar në filtrat e vetingut.
Firmën e tij si kryesues e mbajnë dhjetëra vendime gjyqësore, mes të cilave ai ndaj Emiliano Shullazit dhe grupit të tij në vitin 2018, si edhe ndaj Salvatore Lettizias, një anëtar i Camorras italiane, për masakrën me tre viktima në bulevardin “Zogu I” në vitin 2015.

Por si ndodhi krimi i rëndë?
Në zonën e Xhamllikut, pak pas mesnate (19 nëntor) autorë ende të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri me silenciator në drejtim të të riut, Klajdi Prendi.
Mësohet se 28-vjeçari është mbajtur nën vëzhgim dhe monitorim nga autorët, të cilët kanë pritur momentin kur 28-vjeçari është futur në automjetin e tij G-Class.
Sapo viktima është futur në makinë e kanë qëlluar me armë zjarri me silenciator. Drejt tij është qëlluar me 5 plumba.
28-vjeçari Prendi u transportua në spital në gjendje të rëndë për jetën, por si pasojë e plagëve të marra ai ka ndërruar jetë.
Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në bizneset dhe objektet pranë vendit të ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.
Rreth 1 orë pas ngjarjes, një automjet me targa të huaja u gjet i djegur në zonën e Farkës. Dyshohet se makina i përket autorëve të atentatit ndaj 28-vjeçarit.
Ndërkohë policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e rrethanave të këtij atentati si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



