Furnizonte me armë zjarri grupet kriminale, arrestohet 46-vjeçari
Përdorte taksinë për shmangie të policisë
Një tjetër rast i trafikut të armëve është goditur nga policia e Tiranës. Në pranga ka rënë 46-vjeçari Altin Celami, i cili dyshohet se furnizonte grupe kriminale me armë zjarri dhe municione. Arrestimi i tij u bë pas një hetimi disa javor, i zhvilluar me metoda speciale, në kuadër të operacionit të koduar “Gun Expert”.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, Celami u ndalua në Rrugën e Dibrës, ndërsa drejtonte automjetin e tij tip taksi, mjet që e përdorte për të shmangur kontrollet policore. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet dhe në banesën e tij, hetuesit zbuluan 4 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, lëndë narkotike kokainë, si dhe pjesë të ndryshme armësh, të cilat u sekuestruan si prova materiale bashkë me automjetin.
Hetimet paraprake tregojnë se armët ishin destinuar për t’u shitur grupeve kriminale që veprojnë në kryeqytet dhe zonat përreth. Burime pranë policisë bëjnë të ditur se 46-vjeçari kishte krijuar një rrjet të mirëorganizuar furnizimi, ndërsa roli i tij ishte të siguronte dhe shpërndante armët në mënyrë të fshehtë.
Altin Celami nuk është emër i panjohur për organet e rendit. Ai ishte arrestuar edhe në vitin 2022 për të njëjtën veprimtari të paligjshme, pasi dyshohej se ndihmonte grupe kriminale me furnizim armësh. Për shkak të përfshirjes në këtë aktivitet, më herët ishte pezulluar nga detyra në repartin ushtarak të Pezë Helmezit, ku kishte shërbyer.
Aktualisht, policia ka nisur hetimet për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
Operacioni “Gun Expert” konsiderohet një tjetër goditje ndaj trafikut të armëve dhe përpjekjeve të grupeve kriminale për t’u pajisur me arsenale të paligjshme në Tiranë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


