E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gabimi fatal i Agron Shehajt, në xhunglën  që quhet Shqipëri
OP-ED

Gabimi fatal i Agron Shehajt, në xhunglën që quhet Shqipëri

Naim Noka

Nuk e njoh nga afër Agron Shehajn. Takimi im i vetëm me të ka qenë kur shpërndante vetë fletëpalosje gjatë fushatës zgjedhore, kur kandidoi për deputet në Njësinë 5, në zonën e ish-Bllokut. Politikisht e kam ndjekur që kur garoi për kreun e Partisë Demokratike përballë Lulzim Bashës. Më pas krijoi partinë e tij, brenda kufijve që të lënë dy bandat mafio-politike, majtas dhe djathtas. Mori dy deputetë. Është luftarak, empatik dhe di të bëjë opozitë, ndryshe nga ajo me të cilën jemi mësuar.

Por Agroni ka një “defekt” të madh. Ka para të deklaruara nga biznesi. Hyri në politikë me milionat e tij. Nuk hyri me një dhomë e një kuzhinë dhe të dilte pas 20 vitesh me miliarda të krijuara nga vjedhja, korrupsioni dhe copëtimi i Shqipërisë. Pikërisht ky është paradoksi i tij politik.

Në këtë pikë, Agron Shehaj duket si një UFO në politikën shqiptare, sepse shet vilat e tij dhe jo pasuritë publike. Këtu barra e provës përmbyset. Banda e propagandës nuk merret me mënyrën se si janë krijuar pasuritë marramendëse të pushtetarëve, dje dhe sot, por kërkon me ngulm të fusë duart në xhepat e një politikani që hyri në politikë me pasurinë e vet dhe jo për të ndërtuar pasurinë me politikë.

Politikisht, unë do ta votoja një mijë herë Agron Shehajn përpara dy SHPK-ve politike që mbajnë peng Shqipërinë, duke tretur copat e saj në stomakët e pangopur të një kaste politike që ka sunduar vendin prej dekadash.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Agron Shehaj duhet të jetë mbi ligjin. Përkundrazi. Nëse ekzistojnë indicie për deklarim të rremë pasurie, pastrim parash apo shmangie të detyrimeve ligjore, ato duhet të hetohen me të njëjtin standard që duhet të zbatohet për çdo politikan tjetër. Pikërisht këtu fillon problemi.

Në këtë pikë lind pyetja për SPAK-un.

Janë ngritur publikisht dyshime lidhur me transaksionin e vilës së Agron Shehajt në Forte dei Marmi. Sipas deklarimeve të tij në ILDKPKI, ai ka deklaruar blerjen e një vile me sipërfaqe 251 metra katrorë për 2.9 milionë euro, ndërsa më vonë deklaron shitjen e saj për 15 milionë euro. Vetë Shehaj ka deklaruar publikisht se prona ishte rreth 500 metra katrorë dhe se kishte investuar rreth 4 milionë euro në rikonstruksion, ndërsa janë ngritur pikëpyetje nëse këto investime dhe të dhëna pasqyrohen në deklaratat periodike të pasurisë.

Këto nuk janë çështje që zgjidhen në studio televizive, në rrjete sociale apo me propagandë. Këto zgjidhen me hetim financiar, me verifikim dokumentesh, me ekspertizë të tregut imobiliar dhe me krahasim të deklarimeve zyrtare me dokumentacionin noterial, bankar e fiskal.

Nëse gjithçka rezulton e ligjshme, Agron Shehajt i shtohen votat. Nëse rezultojnë shkelje, duhet të mbajë përgjegjësi si çdo politikan tjetër. Pikërisht kështu funksionon shteti ligjor.

Por problemi nuk është Agron Shehaj.

Problemi është se këtu drejtësia e re vetëm e ka shumëfishuar “betin”. Këtij vendi nuk i mungojnë ligjet. I mungojnë 10 gjyqtarë burra drejtësie dhe 10 prokurorë trima që t’i zbatojnë ato pa telefonata, pa porosi dhe pa llogari politike.

SPAK-un e Dumanit e pamë. SPAK-u i Klodian Brahos të jep kohë deri nga shtatori, sepse tani vendi është në mes të protestave dhe politikisht nuk është komod kryeministri. Ose kështu e kërkon interesi i kampit, i kushëririt deputet e i gjithë oborrit politik.

Merren me paratë e biznesit të Agronit, ndërsa Bankers na vjedh naftën dhe gazin prej tri dekadash. Kadastra na vjedh dhe mban peng pronat. Kartelet e drogës financojnë kullat dhe resortet. Shteti shpërndan 1 miliard euro koncesione rrugësh. Qindra milionë euro zhduken pa gjurmë te inceneratorët. Oligarkët majmen çdo vit me paratë publike. Banda e tenderave vazhdon të dominojë KPP-në dhe OPB-në, ndërsa “Tigrat” e Juri Kimit në Vlorë kërkojnë 20 milionë euro vetëm për të mos u vënë në punë.

Hajdutët, banditët dhe ish-hajdutët vazhdojnë ta sundojnë egërsisht popullin më të varfër të Europës. Prandaj protesta nuk ndalet. Nuk ndalet sepse këtu sundojnë korrupsioni, arroganca, përjashtimi i qytetarëve nga qeverisja, mungesa e transparencës, personifikimi i pushtetit te një njeri apo një grup individësh, shkatërrimi i natyrës, shpërdorimi i burimeve natyrore të Shqipërisë, dhënia e çdo trualli dhe peizazhi natyror një grushti biznesesh pranë qeverisë, rritja e kostos së jetesës dhe varfëria.

Ndërkohë, kryeministri është shndërruar në një mbret pa kurorë. Pasi kaparosi të gjitha pushtetet, pasi katandisi pushtetin vendor si kokoshi një thelë, pasi legjitimoi dhe pastroi miliarda euro, ka kohë që ka filluar të ushtrojë edhe kompetencat kushtetuese të Presidentit Bajram Begaj, duke e reduktuar këtë institucion në një dekor pa peshë kushtetuese.

Dje përcolli edhe kllounin e radhës me një medalje, në emër të Republikës së Shqipërisë, ambasadorin e Bashkimit Europian, Gonzalo. Edhe nderimet shtetërore tashmë administrohen si pronë personale e kryeministrit, ndërsa institucionet kushtetuese shërbejnë vetëm si sfond në shfaqjen e radhës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.