‘Gallatë’ në sallën e gjyqit, ç’ndodhi në seancën për Babalen
Katër policë dhe 2 biznesmenë dëshmuan dje përballë Gjykatës së Tiranës, për procesin ndaj të ashtuquajturit “Babale” dhe 3 të pandehurve të tjerë, ndërsa seanca është zhvilluar mes batutave.
Ndërkohë që Prokuroria ishte në kërkim të “Ermalit” të përmendur nga Albert Veliu, kishte thirrur gjithashtu për të dëgjuar dëshminë e katër punonjësve të Policisë, që në kohën kur është bërë audiopërgjimi, kanë ushtruar detyrën në Drejtorinë e Policisë së Vlorës. Të pyetur nga prokurorët nëse kishin njohje me Albert Veliun dhe Agron Xhafën, të katër policët u shprehën se kishin dëgjuar për ta vetëm në momentin që në televizion është publikuar ngjarja.
Ndërkohë, dëshmitë e tyre u vunë në dyshim nga avokatët e të pandehurve. Para Gjykatës dëshmoi edhe shefi i Policisë Kufitare të Morinës, i cili në kohën kur ka ndodhur ngjarja ka qenë shef i Policisë Kufitare në Dhërmi.
“Nuk e njoh fare Albert Veliun, si fytyrë e kam parë vetëm në televizion. As Geron Xhafën nuk e njoh, vetëm në televizion e kam parë”, tha ai. Avokatët e gazetarit Jetmir Olldashi dhe ishdeputetit të PD-së, Ervin Salianjit, ngritën dyshime në lidhje me lëvizjen nga detyra të tij, nga Dhërmiu në Pikën Kufitare të Morinës, në nëntor të 2017-ës.
BIZNESMENËT
Në seancën e djeshme dhanë dëshminë e tyre edhe dy biznesmenë, të cilët në zonën e Lungomares kishin bar-restorante. Kështu, shtetasi E.D. tha se e njihte Albert Veliun dhe se e kishte pasur komshi. Por ai shtoi se Babalja nuk kishte qenë asnjëherë në restorantin e tij, pasi ai vend nuk ishte për njerëz si ai, por të “përzgjedhur”.
Të pyetur nga avokatët e të pandehurve, nëse kishte shkuar Geron Xhafa, biznesi e mohoi. E.D. tha gjithashtu se i kishte dhënë lekë disa herë Veliut, por jo si borxh, ia kishte falur dhe ai nuk i kishte detyrime. “Kam një bar restorant në Lungomare, ndryshe më thërrasin edhe si Toto Qorri. Unë Babalen e njoh, e kam gjiton, si të thuash jemi rritur bashkë. Klient nuk e kam pasur ndonjëherë te bari dhe për këtë jam i sigurt, pasi nuk është vend për llojin e tij është për njerëz të zgjedhur. As Geron Xhafa nuk ka ardhur ndonjëherë në barin tim. Veliun e kam takuar rreth një vit më parë, duke dalë nga shtëpia, pasi dalim në të njëjtën rrugicë. I kam dhënë disa herë lekë atij, por nuk i quaj borxh, pasi ia kam falur”, tha shtetasi E.D.
FAKTI I RI
Në momentin që në sallën e gjyqit hyri dëshmitari N.M., pronar i një bari në Lungomare, ku ishte i punësuar djali i Albert Veliut, i pandehuri i vetëm që ishte pas hekurave, e përshëndeti.
Me idenë se Fredi Alizoti donte të bënte pyetje, gjyqtari i dha fjalën, por Alizoti tha se vetëm donte të përshëndeste dëshmitarin, pasi e njihte, duke shkaktuar të qeshura. Njohja e Alizotit me dëshmitarin N.M., ishte një fakt i ri si për prokurorët dhe për mbrojtësit. Sipas N. M., ai e njihte Alizotin, pasi kishte shkuar disa herë për të pirë kafe te lokali i tij me Babalen, ku ky i fundit shkonte shpesh, pasi kishte djalin në punë.
“Kam një lokal në Lungomare. Albert Veliun e njoh, djalin e tij e kam pasur në punë te bari. Ne e kemi marrë vesh për audiopërgjimin kur kemi qenë te lokali. Teksa po e dëgjonim, i them djalit të tij se me duket se ky është babai yt. Ai e mori në telefon dhe i tha se ishte bërë i famshëm. Katër ditë pas kësaj, djali i Bertit është larguar. Agron Xhafën nuk e njoh, vetëm kur kam parë lajmet në televizion”, tha M.N.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



