“Gardianët” e Teatrit s’tërhiqen: “Keqardhje për kolegët! Si nuk thonë…
Pak ditë pasi provuan në kurriz forcën e pushtetit, artistët, ndryshe nga Policia, nuk janë tërhequr, madje as përkohësisht.
Dje ne mengjes iu kanë ndërprerë energjinë e siguruar përmes disa gjeneratorëve e megjithatë, ata vijojnë të rezistojnë dhe flasin me entuziazëm për festivalin teatror që mendohet të zhvillohet.
Gjatë ditës së djeshme, zhvillimet e Teatrit nuk i kanë shpëtuar syrit të forcave “Shqiponja”. Dy prej tyre kanë qëndruar gjatë ditës pranë “Eksperimentalit”, ndërkohë që është vënë re edhe prania e Policisë së Shtetit, të cilët kanë qëndruar të distancuar. Edhe për ta turnet ndërrohen, ndërsa në Teatër lajmi se Michele Placido (i cili e ka shprehur që më herët mbështetjen për kauzën) do të interpretojë të shtunën në agore, ka shtuar optimizmin.
Të tjerë artistë si aktori i njohur Arben Bajraktaraj, por edhe të huaj nga Italia e Franca, priten t’i bashkohen kauzës. “Qëndresëtarët” tregojnë se pas shfaqjes “Marr guximin” të Mehdi Malkajt, dy ditë pas sulmit të Policisë, interesi i qytetarëve është rritur edhe më shumë. Shumëkush vjen për të treguar solidaritetin ndaj artistëve. Pavarësisht lodhjes, janë të patundur ndaj vendimit për ta vijuar ruajtjen e godinës 24 orë.
Ka nga ata që gjatë kësaj jave tregojnë se kanë bërë më pak se 15 orë gjumë e megjithatë këmbëngulin: “Duhet të jemi aty, sepse nëse bie vigjilenca, mund të ndodhë katrahura”. Mbrëmja i gjen artistët të rebeluar dhe shkak bëhet ndër të tjera qëndrimi i ambasadorit të BE-së, por ata përgjigjen si ngaherë me qytetari. Regjisori Edmond Budina, gjatë fjalës në agore përfiton t’u flasë kolegëve të tij, atyre që kërkojnë shembjen e Teatrit e nuk kursejnë as fyerjet.
“Ata që fshihen pas pushtetit, ata që marrin shpërblime, se ndryshe nuk mund ta shpjegoj dot që të mos thonë një fjalë, po qoftë edhe një fjalë përkrahjeje. Edhe sikur të kesh këdo kundër, një moment solidariteti me kolegun tënd, kushdo qofsh, duhet ta kesh”, shprehet ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




