Garë e fortë brenda QSUT-së, zbardhen emrat e kandidatëve
Kush e marrë në dorë drejtimin e shërbimeve kyçe?
Nëntë shërbime kyçe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pritet të drejtohen nga emra të rinj, teksa procesi i përzgjedhjes së drejtuesve është drejt përfundimit.
Gara për këto pozicione është hapur që prej datës 10 shkurt dhe aktualisht komisioni përkatës po finalizon shqyrtimin e dosjeve të kandidatëve.
Bëhet fjalë për shërbime me rëndësi të veçantë, si Anestezi-Reanimacioni, Neurologjia, Onkologjia, Dermatologjia, Reumatologjia dhe Nefrologjia Pediatrike, drejtuesit e të cilave kanë dalë në pension, duke liruar vendet për pasuesit.
Sipas burimeve për mediat, konkurrencë e fortë është zhvilluar në disa prej këtyre shërbimeve. Në Shërbimin Onkologjik, përveç Helidon Nini, garon edhe një tjetër mjek i përfolur së fundmi.
Po ashtu, rivalitet i fortë paraqitet në Shërbimin e Neurologjisë, ku konkurrojnë Altin Kuqo, Ilirjana Zekja dhe Gentian Vyshka.
Në Shërbimin e Toksikologjisë Klinike janë katër kandidatë në garë: Andrin Tahiri, Esmeralda Thoma, Alert Drishti dhe Irena Ceko.
Ndërkohë, ka edhe shërbime ku gara është formale.
Në krye të Anestezi-Reanimacionit do të vijojë Krenar Lilaj, kandidati i vetëm në këtë proces. E njëjta situatë paraqitet edhe në Dermatologji, ku pritet të emërohet Monika Fida, duke zëvendësuar Ermira Vasili.
Në Nefrologjinë Pediatrike drejtimin pritet ta marrë Diamant Shtiza, ndërsa në Onkohematologjinë Pediatrike Donjeta Zeqja.
Për Shërbimin e Reumatologjisë janë në garë Ela Petrela, Ergeta Ktona, Arber Pecani dhe Artur Zoto.
Ndërsa në Shërbimin e Alergologjisë kandidon Mehmet Hoxha.
Kandidatët për drejtimin e këtyre shërbimeve duhet të plotësojnë disa kritere të përcaktuara, si mbajtja e titullit “Profesor” ose një doktoraturë të përfunduar në universitete të vendeve të Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Turqisë apo Japonisë.
Gjithashtu, kërkohet përvojë akademike si pedagog me kohë të plotë për të paktën 5 vite dhe përvojë klinike diagnostike jo më pak se 10 vite në fushën përkatëse.
Përveç dokumentacionit profesional, kandidatët paraqesin edhe një platformë strategjike katërvjeçare, ku shpalosin vizionin e tyre për drejtimin dhe zhvillimin e shërbimit që synojnë.
Komisioni i vlerësimit pritet të shpallë së shpejti drejtuesit e rinj, ndërsa një pjesë e kandidatëve kanë qenë deri më tani në detyrë si të komanduar dhe tashmë janë pjesë e garës për të marrë zyrtarisht drejtimin e këtyre shërbimeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



