Gazeta “Le Figaro”: Parisi është i detyruar të kërkojë për Shqipërinë ,mundësinë e rivendosjes së vizave
Mediat franceze shkruajnë se zyrtarët në Paris janë të alarmuar nga shifrat e larta të qytetarëve shqiptarë, që abuzojnë të drejtën për të lëvizur të lirë në hapësirën Shengen dhe e shfrytëzojnë për të kërkuar azil në Francë.
Për të vënë nën kontroll situatën, Le Figaro shkruan se Parisi është i detyruar të kërkojë për Shqipërinë, të njëjtat dispozita si për Gjeorgjinë dhe Ukrainën: “mundësinë e rivendosjes së vizave me ato vende të origjinës që abuzojnë me të drejtën e lëvizjes së lirë”.
Sipas shifrave të ministrisë së brendshme franceze, shqiptarët renditen të parët për numrin e kërkesave për azil në Francë, me 7256 aplikime të regjistruara për periudhën janar-gusht të këtij viti. Kërkesat për azil nga shqiptarët në Francë janë rritur me gati 180%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i kërkesave për azil nga shqiptarët është edhe më i lartë së afganët, që jetojnë në një vend prej vitesh të destabilizuar. Afganët renditen të dytët pas shqiptarëve me 3566 kërkesa.
Pasojë vende të tjera në krizë, si Haiti, Sudani e Siria.
Le Figaro thekson se këtë verë, 3 avionë rikthyen nga Franca në Shqipëri, shtetasit shqiptarë të cilëve iu refuzua kërkesa për azil. Situata është aq shqetësuese saqë Ministri i Brendshëm francez, Gerard Collomb organizon çdo javë videokonferenca me drejtuesit e rajoneve, kryesisht atyre të lindjes së Francës, që kanë probleme me kërkesat për azil që vijnë nga shqiptarët.
Shtetasit shqiptarë përfituan në vitin 2010, të drejtën për të lëvizur të lirë pa viza në vendet e Bashkimit Europian. Ata mund të qëndrojnë jo më shumë se 3 muaj në vendet europiane. Por shumë prej tyre abuzuan me këtë të drejtë, për të kërkuar azil politik, pavarësisht se kërkesat e tyre ishin ekonomike, për të punuar dhe për një jetë më të mirë në vendet europiane.
Por azili politik u refuzohet, pasi Brukseli e konsideron Shqipërinë një vend të sigurtë origjine, ku askush nuk shkelen të drejtat e njeriut, për më tepër që bëhet fjalë për një vend kandidat për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



