Gazetari vlonjat Çlirim Hoxha ka treguar eksperiencën e tij në përballjen me virusin Covid-19. Hoxha shkruan se prej 27 ditësh “luftë” me “këtë flamë”, siç do ta quante vetë mjeku Tritan Kalo, e ka fituar betejën.
Ai thotë se pas afro një jave me të gjitha shenjat e virusit, i ka shkruar mjekut Tritan Kalo dhe ai i ka rekomanduar se çgfarë ilaçesh të marrë.
“Ditën e gjashtë i shkruajta Dr. Tritan Kalos në fb dhe i paraqita situatën. Kolla po më mbyste, gjoksi më dhimbte, por frymëmarrjen e kisha nënë kontroll. Doktori më sugjeroi që menjëherë duhet të nisja mjekimin për ti paraprirë acarimit të gjendjes.
Ai më rekomandoi antibiotik të fortë, Klarithromicinë 500 mg në çdo 12 orë, shoqëruar me Vitaminë C + magnez+ D direkt. Kjo vitaminë është në formë sheqeri dhe pihet pa ujë duke u tretur në gojë, forcon imunitetin. Gjithashtu Dr. Kalo më rekomandoi aspirinën protekt një herë në ditë në drekë, si dhe një shurup kundra kollës”, shkruan gazetari Hoxha, ndërsa thotë se pasi kishte bërë tamponin, kishte dalë pozitiv me Covid-19.
Më tej, ai thotë se mbante kontakte të përditshme me mjekun Kalo, i cili në distancë pasi mësonte simptomat apo gjendjen e Hoxhës, i rekomandonte dhe ilaçet që të merrte, ilaçe dhe rekomandime që e ndihmuan atë të fitonte betejën me infeksionin.
“Mbaja kontakte të përditshme me Dr. Tritan Kalon, duke i treguar situatën dhe duke marrë këshilla dhe sugjerime nga ai. E pyeta Dr. Tritanin për gripin e stinës. Ai më tha se gripi sezonal të mban një javë, ndërkohë që unë e kisha kaluar javën. I thashë doktorit se kisha vërejtur shenja gjaku nga hundët dhe ai më kërkoi që të ndërprisja aspirinën.
Doktori më tha se Covid 19 e ka 12-14 ditë kohën e inkubacionit. Vazhdoja të isha me temperaturë rreth 37.5 dhe përdorja paracetamol për ta ulur. Doktori më rekomandoi që të blija një oksimetër dhe të kontrolloja nivelin e oksigjenit në gjak dhe pulsin.
E bleva në farmaci dhe tre herë në ditë kontrolloja oksigjenin dhe pulsin. Oksigjenin e kisha brenda normave, kurse pulsi luhatej. Tensionin e kisha 11 ose 12 me 7. Në javën e dytë nisa të ndjeja rëndim në stomak për shkak të antibiotikut (unë jam delikat nga stomaku dhe përdorja një ilaç për ta mbrojtur atë, por duket ai nuk bënte shumë punë) dhe kjo më bënte që të kisha probleme kur merrja frymë, më mbyste kolla, megjithëse mundohesha ta frenoja.
I shkrova Dr. Tritan Kalos dhe i tregova për gjendjen. Ai më rekomandoi që të merrja Nexium 20 mg, një kokërr esëll dhe një në mbrëmje para se të flija. Menjëherë u normalizua situata.
Mbërrita në ditën e 14 të infeksionit dhe mu ndërpre menjëherë temperatura. Kaloi mbrëmja, kaloi nata dhe nuk pata më temperaturë. Kjo më gëzoi sepse po kuptoja që po kapërceja zonën e rrezikut. Kolla vazhdonte të ishte prezent, por çdo ditë duke u rralluar. Dr. Tritan Kalo më këshillonte të kisha durim, sepse kjo situatë vazhdon me ditë dhe javë deri në stabilizim të plotë.
Kaloi një javë pas ditës së 14 dhe temperatura nuk u shfaq më, ndërsa kolla erdhi duke u shuar. Pak dhimbje të lehtë kokë dhe pak dhimbje barku duken hera herës. Antibiotiku më kishte dëmtuar florën e barkut dhe pas 10 ditë mjekim me antibiotik doktori më rekomandoi ta ndërprisja marrjen e antibiotikut dhe të merrja Yovita si dhe kos, janë disa shishe të vogla me një solucion për normalizimin e florës së zorrëve”, vijon gazetari Çlirim Hoxha.
Në fund, ai falenderon mjekun Tritan Kalo, për të cilin shkruan se u tregua “i papërtuar, i kudogjendur, i disponushëm në çdo kohë me këshillat e tij.”
“Me këtë rast dua të falënderoi publikisht Dr. Tritan Kalon, i cili u tregua i papërtuar, i kudogjendur, i disponushëm në çdo kohë me këshillat dhe sugjerimet apo rekomandimet e tij mjaft të vlefshme. Faleminderit Dr. Tritan Kalo, pa ndihmën dhe kujdesin tuaj bota për mua do të ishte një mynxyrë e vërtetë. Respekte pa fund për gjithçka që ju dhe kolegët tuaj bëjnë në shërbim të ruajtjes së jetës”, përmbyll gazetari Çlirim Hoxha.



