Gazetarja Desada Metaj tregon si e thirrën në polici pas protestës: ‘Shqiponjat’ kanë pasur kohë të më ndiqnin
Këshilltarja e kreut të PD-së, Lulzim Bashës ka treguar eksperiencën e saj me policinë, gjatë ditëve të protestës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Desada Metaj ka treguar se i plotfuqishmi i lagjes së saj Edison Visha, ka shkuar në banesën e prindërve të saj dhe u ka kërkuar që Desada të paraqitej në komisariat, pasi u ka lënë atyre një numër telefoni.
Më pas, ajo ka kontaktuar shefin e krimeve në rajonin nr.2 Ledio Lushka dhe i ka kërkuar një ftesë zyrtare për të shkuar në polici.
Sipas saj, ajo është thirrur për shkak të postimeve në rrjetin social, në lidhje me protestën e të rinjve.
Më tej Metaj shprehet se ky ishte një veprim qesharak nga disa mercenarë të pushtetit që mundohen t’i tregojnë shefit të tyre Ardi Veliut se sa të zellshëm janë në punë.
Postimi i plotë:
Sot rreth orës 14.00, Edison Visha, i plotfuqishmi i lagjes time (pranë presidencës) ka mbërritur pranë banesës së prindërve të mi dhe u ka kërkuar që të paraqitem pranë komisariatit nr 2 sepse do më pysnin lidhur me thirrjet për protestë të paligjshme. Meqë nuk kam qenë në shtëpi në atë orë, ka lënë një numër telefoni me të cilin kontaktova sapo prindërit më njoftuan.
Nga ana tjetër e telefonit m’u përgjigj shefi i krimeve të rajonit nr 2 Ledio Lushka që më kërkoi të shkoja në komisariat. Sipas tij duhej të më pyeste për diçka që s’mund ta bënte në telefon. Meqë unë besoj ende se shteti funksionon me letra dhe jo me FB, i kërkova të më dërgonte një ftesë zyrtare për t’u paraqitur në komisariat. Gjatë këtyre ditëve thjesht kam komentuar ngjarjet në FB tim personal dhe më vjen mirë që veç drurit, forcat Shqiponja dhe disa segmente të policisë paskan patur dhe mendje dhe kohë për të më ndjekur.
Për çdo rast ky provokim qesharak në dhimbje as më tremb dhe as më ligështon. Madje as familjen time që thjesht tallen me këtë akt qesharak. Personalisht më dhimbsen këta mercenarë të pushtetit se ç’janë në gjendje të bëjnë për ti treguar shef Ardit se janë të zellshëm.
P.s. Për fat të keq nuk kam qenë në asnjë proteste të ditëve të fundit. Por vazhdoj të mbështes çdo formë proteste kundër regjimeve policore.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



