Gent Progni: Polici civil nxorri thikën, tentoi të më godiste!
Eksperti i teknologjisë së informacionit, Gentian Progni, ka bërë një denoncim publik gjatë protestës së 58-të, duke pretenduar se është kërcënuar me jetë nga një person civil pranë ambienteve të Komisariatit nr. 1 në Tiranë, aty ku ishte zhvendosur tubimi i protestuesve.
Progni deklaroi për mediat se ngjarjen e ka të dokumentuar dhe se disponon edhe prova fotografike për personin që, sipas tij, e ka kërcënuar. Ai bëri me dije se do të depozitojë kallëzim pranë institucioneve përkatëse për kanosje.
“Dua të bëj një kallëzim publik. Sot jam kanosur me jetë nga një person civil, të cilin e kam edhe të dokumentuar me foto. Ka nxjerrë një thikë dhe ka tentuar të më godasë. Dyshoj se mund të ketë qenë një polic civil”, u shpreh Progni.
Sipas tij, në momentin e incidentit ai ishte duke filmuar disa persona civilë, të cilët dyshonte se ishin efektivë policie dhe që ndodheshin në një lokal pranë zonës së protestës.
“Po filmoja disa policë civilë që qëndronin në një lokal përballë Toptanit. Personi u ngrit dhe më pyeti pse po filmoja, më pas nxori nga xhepi një thikë që hapet dhe tentoi të më godiste. Në atë moment ndërhynë disa persona të tjerë dhe kërkuan që të mos prekeshin policët”, tregoi ai.
Progni shtoi se do të bëjë kallëzim në prokurori dhe pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), ndërsa këmbënguli se ka prova për identifikimin e personit.
Ndërkohë, aktivisti Edison Lika e cilësoi incidentin si një përshkallëzim të situatës, duke deklaruar se sipas tij është kaluar një kufi i rëndësishëm.
Lika tha se përballja nga kërcënimet verbale ka kaluar në veprime konkrete dhe se protestuesit nuk do të tërhiqen nga tubimet.
“Duket se limiti është kaluar. Pas gjithë kërcënimeve që kemi marrë nga persona civilë, nxjerrja e thikës ndaj një protestuesi që ka qenë pjesë e kësaj lëvizjeje që nga dita e parë është një kalim i vijave të kuqe. Ne nuk trembemi dhe do të jemi përballë çdo personi që kërcënon protestuesit”, deklaroi ai.
Sipas Likës, incidenti ndaj Gentian Prognit është një mesazh ndaj të gjithë protestuesve, ndërsa ai u shpreh se tubimet do të vijojnë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



