Gjendja civile jashtë funksionit
Në gjitha zyrat e Gjendjes Civile në vendin tonë nuk mund të kryehet asnjë veprim.
Punonjësit ndodhen në punë dhe shërbejnë vetëm sa për të sqaruar qytetarët se se ka rënë serveri dhe se e kanë të pamundur të kryejnë veprime që nga mëngjesi i sotëm.
Në këtë situatë Gjendjet Civile nuk mund të lëshojnë asnjë certifikatë personale ose familjare, nuk mund të bëjnë aplikime për pasaporta ose Kartë Identiteti si dhe nuk mund të regjistrojnë lindje ose vdekje.
Ky është një rast i përsëritur që vjen për shkak të një tenderi korruptiv të zhvilluar në Ministrinë e Brendshme, i cili ka lënë pa shërbim mirëmbatjen e sistemit.
Ndërkohë që pritet vendimi i KPP (Komisioni i Prokurorimi Publik), dhe cilado qoftë zgjidhja Shqipëria ka bërë një hap prapa. Shqiptarët nuk do të kenë më dokumenta të sigurta dhe shërbim që iu ofrohet në gjendjet civile në të gjithë Shqipërinë.
Rikujtojmë se që nga shtatori 2017 institucioni ka shpallur një tender për pajisjen që prodhon dokumentet identifikimi, por tenderi ende nuk ka përfunduar dhe nuk ka as një klauzolë si periudhë tranzitore.
Firma që kryente shërbimin e ka përfunduar kontratën e saj, ndërkohë procedurat vazhdojnë dhe sistemi është lënë në mëshirën e fatit.
Dhe ashtu siç paralajmëroi CNA me 2 janar 2018, kur sistemi nuk mirëmbahet dhe për rrjedhojë nuk funksionon, askush nuk mund të aplikojë për pasaporta, karta identiteti, certifikata, apo të kryejë regjistrime apo çregjistrime./CNA.al
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



