E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gjendja skandaloze e rrugës, banorët e Luzit sërish në protestë
Flash

Gjendja skandaloze e rrugës, banorët e Luzit sërish në protestë

Banorët e fshatit Luz në Fushë-Krujë kanë dalë për herë të tretë në protestë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për rrugën e amortizuar që lidh zonën me pjesën tjetër të qytetit. Gjendja e saj, sipas tyre, është kthyer në një rrezik të përditshëm, veçanërisht për fëmijët.

Mëngjesin e së martës, 3 shkurt, protestës iu bashkuan edhe nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Gjon Luka”. Fëmijët dhe prindërit e tyre shprehen se rruga është e mbushur me baltë dhe gropa, duke e bërë të pamundur kalimin normal drejt shkollës. Sipas banorëve, kamionët e tonazhit të rëndë, për t’iu shmangur gropave të thella, shpesh ngjiten mbi trotuar, duke rrezikuar seriozisht jetën e nxënësve.

Protestuesit thonë se deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga institucionet shtetërore, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme. Ata paralajmërojnë se protestat do të vijojnë pa ndërprerje derisa kërkesat e tyre të merren seriozisht.

“Është hera e tretë që dalim dhe askush nuk na ka kthyer një përgjigje. Sot kemi dalë edhe me fëmijët, këpucët i kanë plot baltë dhe nuk i kemi çuar në shkollë. Presim një reagim konkret nga shteti”, shprehen banorët. Sipas tyre, zgjidhja me çakull është e përkohshme dhe e pavlefshme, ndërsa rruga ka nevojë për asfaltim të plotë dhe cilësor.

Në protestë ishte i pranishëm edhe ish-kandidati i Partisë Demokratike për deputet, Aulon Kalaja, i cili theksoi se problematika nuk kufizohet vetëm te rruga. Ai kërkoi gjithashtu ndërtimin e një mbikalimi, për shkak të numrit të madh të fëmijëve që e përshkojnë çdo ditë këtë aks për të shkuar në shkollë.

“Nuk është zgjidhje hedhja e çakullit. Kjo rrugë ka nevojë për asfalt sipas standardeve evropiane, që të përballojë qarkullimin e kamionëve të rëndë. Fëmijët kanë të drejtë të protestojnë për sigurinë e tyre. Përveç rrugës, mungon edhe një mbikalim, çka i detyron prindërit t’i shoqërojnë fëmijët deri te dera e shkollës”, u shpreh Kalaja.

Një ditë më parë, autoritetet kishin hedhur disa kamionë me çakull për të mbuluar gropat, por banorët e konsiderojnë këtë ndërhyrje të përkohshme dhe joefektive. Sipas tyre, rruga është një arterie kryesore ku qarkullojnë dhjetëra kamionë çdo ditë dhe kërkon rikonstruksion të plotë.

Për më shumë se një orë, banorët bllokuan qarkullimin e mjeteve, duke paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë dhe do të përshkallëzohen nëse nuk ndërhyhet seriozisht për rregullimin e rrugës dhe garantimin e sigurisë për komunitetin.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.