E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gjykata e Lartë nuk e fal Safet Bajrin. Saga e krimeve në dosjen belge: Brutal, të paskrupuj, të gatshëm për
Lajme

Gjykata e Lartë nuk e fal Safet Bajrin. Saga e krimeve në dosjen belge: Brutal, të paskrupuj, të gatshëm për

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me 8.9 vite burg për Safet Bajrin. Ajo ka lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkodrës me njohjen e vendimit të gjykatave belge në lidhje me akuzat e provuara për shkodranin.

1

Por, Safet Bajri prej disa muajsh kërkon edhe lirinë me kusht, kërkesa të cilat janë rrëzuar nga gjykatat. Atij i mbeten edhe disa muaj nga vuajtja e dënimit. Nga mesi i qershorit Gjykata e Shkallës së Parë në Fier e ka rrëzuar kërkesën për lirim të anëtarit të bandës së Shkodrës dhe kjo u tha se u bë në bazë të kërkesës së prokurorit të çështjes Genci Mane, i cili ka kërkuar të mos marrë në konsideratë kërkesën për liri të Safet Rrustemit. Bajri akuzohet për trafik droge e prostitucion nga nga Gjykata e Brukselit dhe për këto akuza ai është dënuar nga Apeli në Bruksel me 9 vite burgim. Ndërkaq në Shqipëri, Safet Bajri akuzohet për trafik droge, vrasje, gjobëvënie e shantazh. Bajrit i janë sekuestruar një sërë pronash në Shqipëri, pasi ai u ndalua në ambientet e një magazine në zonën e “Xhamllikut” në kryeqytet 4 vite më parë. Në momentin e arrestimit, Bajri mbante edhe një armë pa leje. Arrestimi i tij u krye në kuadër të një procedimi penal të nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, prej afro një viti, pas dyshimeve për përfshirjen e tij apo drejtimin e një organizate kriminale të trafikut të lëndëve narkotike. Nga ana tjetër, ai figuronte në listën e personave më të kërkuar të Belgjikës, i dënuar me 9 vjet burg si kreu i një bande kriminale, që përpiqej të kontrollonte trafikun e drogës, e jo vetëm atë trafik, në Bruksel.

DOSJA NGA BELGJIKA

Brutal, të paskrupujt, të gatshëm për të kryer gjithçka për të vënë në jetë qëllimet e tyre kriminale. Kjo është historia e patreguar e Bajrave, një prej bandave më famëkeqe në veriun e Shqipërisë, por jo vetëm. Edhe në Belgjikë, aty ku filloi lulëzimi dhe rrënimi i tyre përfundimtar. Por si u kthye kjo bandë në tmerrin e rrugëve të Brukselit dhe të pronarëve të bareve? Cilat ishin mënyrat mizore me të cilat kërcënonin dhe shantazhonin këdo që u dilte përpara, duke mos njohur asnjë pengesë në arritjen e qëllimeve të tyre? Për herë të parë “Në shënjestër” solli të plotë, të pathënat e Bajrave në Belgjikë, nëpërmjet dosjes së policisë belge. Dosje e cila tregon, ndërmarrjen kriminale që kishin ngritur katër vëllezërit Bajraj, të investuar në prostitucion, zhvatje, kërcënime serioze për jetën deri edhe në eliminime fizike. Ku mbi të gjithë, ai që spikaste, ishte një emër. “Mbreti” apo ndryshe “Lordi”, Safet Bajri që pak kush më parë ia dinte bëmat e vërteta. Për të rrëfyer mizorinë e këtij grupi dhe kreut të saj Safet Bajri, prokurorët u kthyen në vitin 2014, në Belgjikë, aty ku banda nisi punët e saj të para të errëta në botën e krimit. Por si mundi kjo bandë të ngrihej kaq shpejt në kupolën e krimit? Cila ishte mënyra se si punonte?

DËSHMITË KUNDËR BAJRAJVE

Lulzim Gërxhaliu, pronar i një bari të sapohapur në sheshin Simons, po udhëtonte atë mëngjes të herët të 20 qershorit 2014, në bulevardin D’Anvers me makinën e tij “Audi”, kur papritur ndjeu plumbat të preknin automjetin e tij. I frikësuar ai vazhdoi rrugën, duke zgjedhur të heshtë. Fatmirësisht ajo nuk ishte nata e tij për të shkuar në atë botë. Plumbat i prekën vetëm automjetin, por pa sjellë probleme në shëndetin e tij. Të shtënat me armë zjarri që erdhën nga kafe “Diamonds”, u raportuan menjëherë në stacionin lokal të Policisë, e cila u vu në lëvizje për të gjetur autorët dhe viktimën e këtij incidenti të pazakontë. Por në drejtim të policisë nuk pati asnjë ankesë. Vetëm 6 ditë më pas policia mundi të gjejë autoveturën e Lulzim Gërxhaliut dhe të konstatojë shenja plumbash vetëm disa centimetra larg derës së drejtuesit të mjetit. Por drejtuesi i automjetit, Lulzim Gërxhaliu, ishte zhdukur dhe policia nuk kishte asnjë gjurmë prej tij. Ishte kjo një shenjë, se një kod heshtje po fillonte të zbatohej në rrugët e Brukselit. Vetëm dy ditë më pas, më 28 qershor, Lulzim Gëxhaliu, mposhti frikën dhe u bë i gjallë. Ai mori kontakt me shërbimin e policisë dhe u tha që ishte dakord që t’i takonte dhe të fliste. Në dëshminë e tij para oficerëve të policisë, Luli nxori emrat e Bajrave.

KËRCËNIMI I BIZNESMENIT NË BRUKSEL

Nga analiza e të dhënave telefonike rezultoi se natën e goditjes së makinës së Gërxhaliut, Aliji dhe Sead Selhani i njohur ndryshe si Dushi, kishin pasur 7 komunikime me njëritjetrin, dhe njëri prej tyre kishte ndodhur në afërsi të vendit të ngjarjes më 20 qershor 2014. Gjurmimi i telefonatave nxori në pah se vetëm disa orë pas “peshqeshit” të plumbave, “Riki”, Raman Aliji provoi të telefonojë Lulin, i cili ia ktheu menjëherë telefonatën, çka konfirmonin deklaratat e dhëna në polici nga Lulzim Gërxhaliu më 28 qershor 2014. Gjithçka tashmë ishte e qartë, pas plumbave fshihej banda e Bajrave. Dushi nuk ishte tjetër përveçse Sead Selhani, vëllai me mbiemër të ndryshuar i Safet Bajrit, “mbretit” që po terrorizonte baret e Brukselit. Edhe ky i fundit, sipas dëshmisë së viktimës së atentatit, pjesëmarrës me të vëllain e tij, në “Coffe Diamonds”, në të shtënat ndaj makinës së Gërxhaliut. “E njoh Dushin prej të thënave. Bën pjesë në një grup shqiptarësh që krijojnë probleme në Bruksel. Nuk e kuptoj përse më kanë qëlluar. Sapo kam hapur një kafe në Simonis dhe nuk dua probleme. E mësova nga persona të tjerë që rrinë në Yser dhe ma kanë inatin për shkak të një zënke që ka ndodhur në muajin shkurt 2014. Jam menduar gjatë përpara se të bëj padi pasi kam frikë nga ky grup për nga nami që kanë”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.