Gjykata e Tiranës zyrtarizon Lulzim Bashën në krye të PD-së
MARIGLEN KUME/ Gjykata e Tiranës zyrtarizoi dje Lulzim Bashën si kryetar të Partisë Demokratike.
Gjyqtarja Blerina Muça shqyrtoi ndryshimet statutore të bëra në 17 korrik të vitit 2021, ku ndryshimet thelbësore ishin mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve për kandidat për deputet dhe për kryetar bashkie, si dhe ku u zgjerua numri i anëtarëve të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar.
Ndërkohë dje, në Gjykatë selia blu dhe foltorja bënë betejën e parë në organet e drejtësisë.
Burime për gazetën “Panorama” bënë me dije se sekretari për çështjet ligjore në selinë blu, Indrit Sefa, kishte bërë kërkesë që objekti i shqyrtimit të zgjerohej edhe me ndryshimet statutore të bëra në Kuvendin e PD-së në 18 dhjetor. Por, kjo kërkesë mësohet se është rrëzuar.
Ndërkohë më herët, përfaqësues të lëvizjes së ish-Kryeministrit Sali Berisha kishin depozituar një kërkesë në Gjykatë ku kërkonin që Gjykata të mos merrte parasysh në të njëjtën çështje ndryshimet e 17 korrikut me ato të 18 dhjetorit.
Përfaqësues të Komisionit të Rithemelimit pas 11 dhjetorit të vitit që lamë pas nuk e njohin më Lulzim Bashën si kryetar të Partisë Demokratike, pasi në këtë ditë ata mblodhën në stadiumin “Air Albania” Kuvendin Kombëtar të PD-së ku një ndër vendimet ishte shkarkimi i Lulzim Bashës nga posti i Kryetarit të Partisë Demokratike.
Ndërkohë një javë më vonë, ata organizuan referendumin në të cilin u konfirmua vendimi i Kuvendit Kombëtar.
Pas këtij momenti, Komisioni i Rithemelimit depozitoi në Gjykatën e Tiranës një tjetër kërkesë për regjistrimin e ndryshimeve statutore. Por ndërkohë, edhe nga partia zyrtare pati reagime kundër.
Pas Kuvendit të Berishës më 11 dhjetor, Lulzim Basha thirri gjithashtu delegatët e PD-së më 18 dhjetor në Pallatin e Kongreseve. Në atë mbledhje delegatët ndër të tjera miratuan edhe një ndryshim në statut ku personat e shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të jenë anëtarë të PD-së.
Ky ndryshim u bë pasi ish-Kryeministri Berisha u shpall person i padëshiruar nga SHBA-ja.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



