Gjykatë Kushtetuese apo ushtarë të partisë?

Drejtësia që vrapon për Ballukun, ndalet për qytetarët
Av. Arben Llangozi
Ndonjëherë një ngjarje të tregon më shumë për një shtet sesa gjithë vitet e propagandës. Kjo ndodhi sapo Gjykata Kushtetuese, me një shpejtësi që do ta kishin zili edhe vendet me drejtësi të avancuar, caktoi brenda një jave datën e gjykimit të kërkesës së Kryeministrit për të shfuqizuar vendimin e GjKKO-së që pezulloi nga detyra zv.kryeministren Belinda Balluku.
Në një vend ku drejtësia për një nënë që pret vendim ushqimor zgjat me vite, ku për një pensionist të sëmurë procesi ngjan si maratonë pa fund, për një zyrtare të lartë ritmi kthehet papritur në sprint. Çfarë mesazhi merr qytetari? Që ligji lëviz vetëm kur pasoja politike është e madhe. Që radhat janë për popullin e thjeshtë, përjashtimet për pushtetin. Që dosjet e qytetarëve vlejnë aq pak sa mund të shtyhen pa frikë, ndërsa dosja e një zyrtareje të rëndësishme trajtohet me kujdes, urgjencë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm.
S’ka nevojë të gërmosh në teori juridike. Mjafton të shohësh kronologjinë. GjKKO pezullimin e Ballukut nga detyra e cilësoi si pjesë të kufizimeve procedurale të hetimit dhe kjo, në çdo vend normal, do të ecte me ritmin e zakonshëm gjyqësor. Por jo në Shqipëri. Kryeministri reagoi me vrull dhe kërkesa e tij mbërriti në Gjykatën Kushtetuese si dokument “urgent”. Dhe mrekullia ndodhi: institucioni që zakonisht merr muaj të tërë për të caktuar një seancë për një qytetar të thjeshtë, papritur gjeti kapacitet të vendosë datë brenda shtatë ditësh. Ironia qëndron te fakti se askush nuk e beson se kjo ndodhi rastësisht. Edhe më ironike është se as vetë institucioni nuk përpiqet të bindë të kundërtën.
Perceptimi publik është i qartë: kur çështja prek pushtetin, drejtësia vrapon; kur prek qytetarin, pret në radhë. Dhe ky perceptim, sado që institucionet mund të përpiqen ta mohojnë, nuk largohet dot nga mendjet e njerëzve. Sepse njerëzit shohin se si çështje jetike të përditshme – pensione, ndihmë ekonomike, kujdestari fëmijësh, pronësi – mbeten pa datë, pa ritëm dhe pa shpresë. Ndërkohë çështja që prek zyrtaren nr. 2 të qeverisë valvitet me flamurin e urgjencës.
Është e dhimbshme të thuhet, por kjo ngjarje i ka bërë njerëzit të pyesin: a kemi drejtësi apo kemi një shërbim VIP për elitën politike? Sepse mënyra si u trajtua çështja e Ballukut, e ndërlidhur me reagimin e menjëhershëm të Kryeministrit, ngjan me një skenë ku pushteti thërret dhe institucioni përgjigjet. Qytetarët e shohin këtë dhe e përjetojnë si fyerje – për inteligjencën e tyre, për mundin e tyre, për çdo derë gjykate ku kanë trokitur pa përgjigje.
Ne jetojmë në një vend ku mijëra njerëz braktisin sistemin gjyqësor dhe ikin jashtë jo për një jetë më të pasur, por për një jetë më të drejtë. Sepse drejtësia këtu shpesh të bën të ndihesh i padukshëm, i pavlefshëm, i parëndësishëm. Por çuditërisht, të njëjtat institucione që harrojnë qytetarin nuk harrojnë kurrë kur një zyrtare e lartë rrezikon postin. Atëherë koha gjen vend, kalendari hapet, mekanizmat lëvizin si sahat zviceran.
Këtu qëndron tragjedia – drejtësia nuk është më çështje ligji, por çështje posti. Jo çështje të drejtash, por çështje emrash. Jo institucion, por refleks i politikës. Dhe çështja Balluku na e tregoi qartë: në Shqipëri, ligji nuk ka fuqinë të mbrojë të dobëtit, por ka aftësinë të mbrojë imazhin e pushtetit.
Është e dhimbshme, por e vërtetë: sa herë që bie një politikan në telashe, institucionet marrin frymë; sa herë bie një qytetar në hall, institucionet heshtin. Në këtë vend, drejtësia nuk funksionon si barazi, por si hierarki. Dhe maja e hierarkisë shihet qartë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



