Gjyqtarja e Apelit të Tiranës në veting, KPK: Zegjine Sollaku nuk justifikon 7 milionë lekë!
Hetimi administrativ për Zegjine Sollakun u krye nga trupa gjykuese që kryesohet nga Xhensila Pine, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi. Gjyqtarja e Apelit ishte e pranishme në seancë dëgjimore publike, ndërsa shoqërohej nga bashkëshorti i saj, ish-Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, në cilësinë e avokatit të saj.

Gjatë seancës dëgjimore u evidentuan pasaktësi në deklarime dhe mungesa burimesh financiare në vlerën totale 7 milionë lekë. Sipas raportit të Komisionit, bashkëshortët Sollaku kanë në pronësi 8 apartamente, të verifikuara nga hetimi administrativ, disa garazhe, si dhe dy makina. Gjyqtarja u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, si dhe nuk u evidentuan probleme për kriterin e profesionalizmit. Në raport thuhet se nuk janë gjetur indicie edhe në 58 denoncimet e kryera nga publiku, ku 20 prej tyre kanë qenë të përsëritua dhe të depozituara nga i njëjti person. Relatori Hamitaj tha se gjatë hetimit për profesionalizmin janë evidentuar vonesa në fillimin e seancave gjyqësore ose në dorëzimin e vendimeve të arsyetuara.
Avokati Sollaku e kundërshtoi gjetjen e komisionit. Ai tha se, sikurse ka rezultuar edhe nga hetimi administrativ, të gjitha transaksionet financiare janë kryer nga ana e tij, ndërsa shtoi se e shoqja gjyqtare kishte qenë gjithmonë e fokusuar te detyra. Ai paraqiti para komisionit një përmbledhje të bilanceve të të ardhurave dhe shpenzimeve të tij që nga viti 1991 e në vijim, duke pretenduar se ka pasur burime të mjaftueshme të ligjshme për krijimin e pasurive. Në fund të seancës, Zegjine Sollaku i kërkoi komisionit ta konfirmojë në detyrë, ndërsa vendimi për të pritet të shpallet më datë 8 korrik.
GJYQTARJA
Mungesa e burimeve financiare në vlerën prej 7 milionë lekësh, është një shumë e konsiderueshme referuar rasteve të mëparshme, kur gjyqtarë e prokurorë janë shkarkuar nga KPK edhe për vlera më të vogla se kaq. Megjithatë, tashmë duhet parë se si do të reagojë dhe çfarë do të vendosë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas një rasti që tashmë është bërë publik.
Zegjine Sollaku ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe ka punuar si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës në vitet 1992-2003. Prej vitit 2003, Sollaku e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Analiza e pasurisë është një ndër tri shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar nga gjyqtarja Zegjine Sollaku nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, gjyqtarja Zegjine Sollaku deklaronte pasuri familjare me vlerë 7.4 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2017 pasuria familjare kap vlerën e 97.7 milionë lekëve.
Ajo deklaron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 88.3 milionë lekë, likuiditete bankare prej 8 milionë lekësh dhe automjet me vlerë 1.4 milionë lekë. Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 204.5 milionë lekë, me burim kryesor punën e bashkëshortit si avokat në masën 75%. Të ardhurat nga paga e znj. Sollaku zënë 9.5% të totalit, ndërsa të ardhurat nga puna e familjarëve llogariten në masën 14%.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



