Gjyqtarja e Gjirokastrës, Albina Spaha përfundimisht del jashtë sistemit të drejtësisë
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot të shkarkojë dhe të largojë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë ish-kryetaren e gjykatës së Gjirokastrës, Albina Spaha.
Ajo u shkarkua nga detyra më 15 prill 2019 pasi nuk justifikonte dot me burime financiare të ligjshme blerjen e një apartamenti.
Spaha e çoi në apel, por Gjykata vendosi të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë.
Vendimi i plotë
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Ina Rama, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.34/2019, datë 18.07.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Albina Spaha, kundër vendimit nr. 139, datë 15.04.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 139, datë 15.04.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Albina Spaha.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 12.01.2021
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



