Goditet grupi shqiptar i kokainës në Belgjikë, 8 në pranga
Në mesin e të arrestuarve edhe “Gjenerali”
Një hetim rreth njëvjeçar i autoriteteve belge ka përfunduar me goditjen e një grupi të dyshuar për trafik ndërkombëtar të kokainës, duke çuar në arrestimin e tetë personave. Për katër të tjerë është vendosur masa e arrestit shtëpiak.
Mes personave të ndaluar ndodhet edhe shqiptari Gerd Gjinarari, 52 vjeç, i njohur me nofkën “Gjenerali”. Emri i tij është shfaqur më herët në dosjet e autoriteteve belge dhe italiane, ndërsa tashmë ai është përfshirë në një tjetër hetim, këtë herë për dyshime që lidhen me trafikun e kokainës.
Hetimi në Belgjikë nisi pasi policia siguroi informacion se një apartament në zonën e Berchemit, në Antwerp, mund të përdorej si pikë për fshehjen dhe ruajtjen e sasive të konsiderueshme të lëndës narkotike.
Dyshimet për rolin e ndërmjetësit
Në fokusin e hetuesve belgë ishte një 48-vjeçar, i cili dyshohet se kishte një rol të rëndësishëm në lidhjen e grupeve kriminale shqiptare me rrjete të trafikut që vepronin në Amerikën Latine.
Sipas dyshimeve të ngritura gjatë hetimit, ai merrej me koordinimin e aktiviteteve që lidheshin me transportin e kokainës, nxjerrjen e ngarkesave nga porti i Antwerp-it dhe organizimin e shpërndarjes së tyre më tej.
Hetuesit dyshojnë gjithashtu se 48-vjeçari siguronte persona që mund të ndihmonin në realizimin e operacioneve kriminale, përfshirë edhe punonjës sigurie. Ai dyshohet se kishte rol në drejtimin e grupeve që merreshin me marrjen e ngarkesave të drogës pasi ato hynin përmes portit.
Gjatë fazave të mëparshme të hetimit, autoritetet belge kishin sekuestruar dy ngarkesa kokaine, me peshë rreth 46 dhe 53 kilogramë.
Kontrollet e fundit u shtrinë në disa zona të Antwerp-it, mes tyre Berchem, Deurne dhe Kapellen, ndërsa aksionet u zhvilluan edhe në disa pika në Bruksel.
Çfarë u gjet gjatë kontrolleve
Operacioni solli sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme provash dhe pajisjesh që, sipas hetuesve, mund të lidhen me veprimtarinë e grupit.
Në mesin e sendeve të gjetura ishin armë dhe municione të fshehura, jelekë antiplumb, pajisje për bllokimin e sinjalit dhe shuma parash cash, së bashku me makineri të përdorura për numërimin e parave.
Policia sekuestroi gjithashtu pasaporta dhe karta shtypi të falsifikuara, ndërsa gjatë kontrolleve u gjetën edhe presa dhe kallëpe, të cilat dyshohet se mund të ishin përdorur për formësimin e blloqeve të kokainës.
Këto elemente janë tashmë pjesë e materialit hetimor që po shqyrtohet nga autoritetet belge për të përcaktuar strukturën dhe përmasat e aktivitetit të dyshuar kriminal.
“Gjenerali”, sërish në pranga
Një nga emrat që tërheq vëmendjen në këtë operacion është Gerd Gjinarari, 52 vjeç, i njohur si “Gjenerali”.
Shqiptari ishte ndaluar edhe disa muaj më parë në Belgjikë nga ekipi FAST i Policisë Federale, pas një kërkimi ndërkombëtar të shpallur nga autoritetet italiane.
Arrestimi i parë lidhej me një çështje të vjetër vrasjeje në Itali, për një ngjarje të vitit 1997. Në atë kohë, autoritetet italiane e kërkonin Gjinararin për një vrasje të kryer në Milano.
Sipas akuzave të autoriteteve italiane, Gjinarari dyshohet se vrau një rival në një spital në Milano, duke përdorur një pistoletë të fshehur në një buqetë me lule.
Rrethanat se si ai u lirua pas arrestimit të parë në Belgjikë nuk janë bërë të qarta.
Ndërkohë, disa muaj pas atij ndalimi, “Gjenerali” është arrestuar sërish, tashmë në kuadër të hetimit belg për një grup të dyshuar për trafik ndërkombëtar të kokainës.
Procedurat që lidhen me kërkesën e autoriteteve italiane për ekstradimin e tij ishin ende në proces pas arrestimit të qershorit. Tashmë, për Gjinararin është hapur edhe një tjetër front ligjor në Belgjikë, për shkak të dyshimeve që lidhen me trafikun e kokainës.
Hetimi belg vijon për të zbardhur të gjitha lidhjet e grupit, mënyrën e sigurimit të ngarkesave nga porti i Antwerp-it dhe rolin që ka pasur secili prej personave të arrestuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



