E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Google humb apelimin, do të paguajë  2.7 miliardë dollarë  Bashkimit Evropian
Lajme

Google humb apelimin, do të paguajë 2.7 miliardë dollarë Bashkimit Evropian

Kompania Google humbi të martën apelimin në nivelin më të lartë gjyqësor të Bashkimit Evropian ndaj gjobës prej 2.7 miliardë dollarë të vendosur nga Komisioni Evropian. Kompania ishte ndëshkuar për shkak të avantazhit të paligjshëm që u jep rekomandimeve të saj për klientët që dëshirojnë të blejnë nëpërmjet internetit.

google

Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian (CJEU) mbajti në fuqi një vendim të një gjykate më të ulët në mbështetje të masës së marrë nga Komisioni Evropian, që funksionon si organi kryesor anti-monopol i unionit të përbërë nga 27 vende.

Komisioni Evropian pati ndëshkuar kompaninë gjigande të teknologjisë në vitin 2017 për shkak të praktikës së padrejtë të orientimit të vizitorëve drejt shërbimit të saj të blerjeve Google Shopping, duke dëmtuar kështu konkurentët. Kjo është një ndër tre gjobat prej disa miliarda dollarësh që komisioni i ka vendosur ndaj kompanisë Google gjatë dekadës së fundit, ndërsa ka forcuar masat në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Përpara selisë së Komisionit Evropian në Bruksel

“Jemi të zhgënjyer me vendimin e Gjykatës, që lidhet vetëm me një pjesë të caktuar të fakteve”, u shpreh nëpërmjet një deklarate kompania Google.

Kompania thotë se ka bërë ndryshimet e duhura në vitin 2017, për të zbatuar vendimin e Komisionit Evropian që i kërkonte kompanisë t’i trajtojë konkurentët në mënyrë të barabartë.

Grupi evropian për mbrojtjen e konsumatorëve, BEUC, përshëndeti vendimin e gjykatës, duke thënë se dëshmon se rregullat e BE-së për mbrojtjen e konkurencës “vazhdojnë të jenë shumë vigjilente” në tregjet dixhitale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.