E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“GOZHDA” QË PO I NGULET TURIZMIT SHQIPTAR
Lajme

“GOZHDA” QË PO I NGULET TURIZMIT SHQIPTAR

FATMIR GJONI

Po habitemi përditë me çfarë po ndodh në këtë vend. Jam i sigurtë që gjithkush ka një histori personale për të treguar këtë verë me turizmin shqiptar.

Po sjell edhe unë një të freskët të ndodhur jo më larg se dje. Nuk e sjell për t’u ankuar sesa për të reflektuar kushdo që ka diçka në dorë në këtë vend por edhe për ne si qytetar të tij.

Dje kisha planifikuar të bëja plazhin në bregdetin e Vlorës, me një mik që më kishte ardhur nga Italia. Dita rrodhi e tillë. 1000 lekë shezllon, pa faturë. E durova. Në lokalin kioskë një birrë kanaçe Heineken e vogël mu shërbye nga një fëmijë jo më shumë se 12 vjeç. Sërish pa faturë dhe me një çmim prej 400 lekë copa ose 3.5€. I durova edhe këto tre padrejtësi njëherësh.

Erdhi vakti i drekës dhe vendosëm bashkë me mikun tim të shkonim në një restorant peshku me emër dhe i vjetër në zonë. Marrim makinën dhe shkojmë. E gjithë rruga nacionale në të dy krahët ishte e mbushur me makina pushuesish. Tek lokali nuk kishte vende dhe ecën edhe nja 40 metra më tutje nëpër rrugën nacionale në drjetimin për Orikum. Qëllova me fat sepse në atë moment një makinë me targa kosove lëvizi nga ku ishte parkuar dhe e futa unë direkt. Pasi e kisha mbyllur makinen e po shkoja për nga lokali dëgjoj dikë që po thirrte nga pas. Kthej kokën pas, ndalem dhe e kuptova që po më thërriste mua.

Më kërkoi se ku do shkoja. U habita. Nuk e dija se me çfarë tagri del dikush në rrugë pa të njohur e pa ditur të të pyes se ku shkon. Mu kujtua vetem pyetjet e policisë në kufij që të pyesin se ku shkon. Gjithësesi ju përgjigja që po shkoja tek restoranti për drekë. Pa marr frymë akoma më urdhëroi të heq makinën e ta parkoja andej nga do shkoja. U habita dyfish. Mirë që më pyeti se nga do shkoja por tani më tregonte edhe nga të shkoja. Makina ishte e parkuar në rrugë nacionale. Biles 2 gomat preknin asfaltin. E informova që aty ishte rrugë nacionale. Që nuk kishte asnjë tabelë askund që tregonte parking privat e as ku ndaheshin këta që ndanin rrugën nacionale. Më pasoi një urdhër i dytë ku më tha se nuk ka nevojë për tabelë përderisa po të them unë ta lëvizësh. Ndërkohë i kishin ardhur në përkrahje djali diku 17 vjeçar e një tjetër i afërm i rritur.

– Më fal i thashë por unë nuk mund të marr urdhëra nga kushdo që më del në rrugë se ku duhet të shkoj e çfarë të bëj me makinën time. Nëse unë kam cënuar pronën apo të drejtën tënde më mirë merr në telefon policinë. Sepse këtu është rrugë nacionale dhe unë jam po aq pronar sa ti në të. Do ha drekë e largohem për më pak se 2 orë.

Ika e u ula në restorant. Por me mendjen pas sepse e pashë që shikimet e tyre nuk ishin as mikëpritëse e as që mund t’u zije besë.

Mbarova drekën dhe u ktheva tek makina.

Para se ta nisja thashë ta kontrolloj makinën se mos m’i kanë bërë gjë, ndonjë gërvishje apo diçka tjetër nga ato marifetet e mendjeve të mbrapshta shqiptare. Dhe nuk gabova. Gomën e parë e kishin shfryrë nga ventili, dhe gomës së pasme i kishin ngulur gozhdë. Nuk e besova dot që në vitin 2022 të përballesh me të tilla situatash. Personat nuk ishin më aty. Dola e i kërkova vetë.

Situatën e zgjidha vetë privatisht. Por më pas njoftova edhe policinë për tu treguar që të jenë në dijeni se në të gjithë vijën nacionale kanë dalë bandat e parkingjeve që zihen e përplasen me qytetarët dhe turistët.

Unë e zgjidha privatisht se kam të bëj me zonën, por aty edhe mund të ishim vrarë. Mund të kishim dalë edhe në kronikën e zezë. Dikush që i ngul gozhdë makinës i vë edhe tritol ose nuk e ka problem të shkrepë edhe armën. Miku i italisë u habit. I thashë që jam përditë në përballje të tilla. Duhet t’i dalim përzot vetes sepse askush nuk na mbron. Ky vend udhëhiqet nga i pari tek i fundit me vetgjyqësi. Në mbi 400 mijë kilometra që kam bërë me makinë në vende të ndryshme të botës, në asnjë vend nuk më ka dalë kush të më thojë, ku shkon as të më kërkojë para e as të më thojë largo makinën sepse ashtu do ai.

Nuk dua ta nxi Shqipërinë, por shija e eksperiencës së djeshme ishte e hidhur farmak. Në nivelin e të pabesueshmes. U binda që shumë frymorë në këtë vend janë çmendur. Njerëzit kanë humbur llogjikën. Nuk kemi as një javë që të tillë njerëzish vranë një fëmijë në det. Dhe vertetova që e gjithë vija bregdetare është e kriminalizuar dhe e rrezikshme. Dhe më e keqja, nga rreziqe që ti nuk di as nga të vijnë e as kur do të të përballesh me to. Persona që i kanë dalë zot rrugës nacionale që nga Velipoja deri në Ksamil. Policë që kalojnë përditë dhe që i shohin e nuk u thonë asgjë. Të gjithë e dinë, që nga pushteti vendor tek ai qëndror. Të gjjthë e dinë që u merren para turistëve për të parkuar në rrugë. Në Palasë të marrin para edhe për të parkuar në përrua. Kush e ka raportuar deri më sot që nëpër rrugët e Shqipërisë të kërkojnë lekë për të parkuar në anësore, nëpër ferra e nëpër përrenj?

Lindin pyetjet: A di gjë Ministria e Brendshme? Po Ministria e Turizmit a e di që turistit i kërkohet para me dhunë për të parkuar ose për t’i mbrojtur makinën?

Artikulli i plote ketu https://www.oranews.tv/opinion/gozhda-qe-po-i-ngulet-turizmit-shqiptar-i1052881

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.