Grabitja në Paskuqan, zbardhet dëshmia e të arrestuarit: Maskat i kam qejf!
“Maskat i kam qejf”
Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Argys Kalasin, 32-vjeçarin e arrestuar dy ditë më parë në lidhje me grabitjen e rreth 2 kilogramëve flori në Paskuqan.
Gjatë seancës gjyqësore, Kalasi ka mohuar përfshirjen në ngjarjen e ndodhur më 5 gusht, kur një argjendari në Paskuqan u grabit nën kërcënimin e armës.
Sipas burimeve për Top News, para gjykatës 32-vjeçari ka pretenduar se nuk ka lidhje me grabitjen dhe është përpjekur të shpjegojë edhe praninë e një maske që dyshohet se është përdorur në ngjarje.
“Maskat i kam qejf dhe i përdor për Halloween. Pasi festoja, i hidhja poshtë. Kjo mund të jetë një nga ato maskat”, mësohet të ketë deklaruar Kalasi.
Megjithatë, Gjykata Penale e Tiranës ka vendosur që ai të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të grabitjes vijojnë.
Nuk tregon identitetin e bashkëpunëtorit
Gjatë deklarimeve para gjykatës, 32-vjeçari dyshohet se ka mohuar përfshirjen e tij, por nuk ka dhënë informacion mbi personin tjetër që dyshohet se ka marrë pjesë në grabitje.
Ngjarja ndodhi më 5 gusht në Paskuqan, ku autorët, nën kërcënimin e një kallashnikovi, arritën të merrnin rreth 2 kilogramë flori.
Policia ka arrestuar Kalasin si një prej personave të dyshuar për përfshirjen në grabitje, ndërsa vijojnë kërkimet dhe hetimet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit të tij të dyshuar.
Hetuesit po punojnë për të rindërtuar të gjithë dinamikën e ngjarjes, ndërsa deklarimet e 32-vjeçarit do të verifikohen në raport me provat e administruara gjatë hetimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



