Aksidenti tragjik me punëtorin, arrestohet administratori i firmës
Një ngjarje tragjike është shënuar ditën e djeshme në zonën e Paskuqanit, ku një punëtor ndërtimi ka humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës në një objekt në ndërtim. Rrethanat e aksidentit mbeten ende nën hetim, ndërsa dyshohet se viktima ka rënë nga një lartësi e konsiderueshme.
Sipas të dhënave zyrtare, viktima është shtetasi Halil Picari, 65 vjeç, i cili ishte i punësuar si ndihmës elektricist. Ai dyshohet se ka rënë nga kati i tetë i pallatit dhe ka ndërruar jetë menjëherë për shkak të dëmtimeve të rënda të marra.
Në kuadër të hetimeve për ngjarjen, mbrëmjen e djeshme rreth orës 18:00, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 kanë arrestuar në flagrancë administratorin e kompanisë ndërtuese “Al Great” sh.p.k., shtetasin Avni Mekshi, 61 vjeç. Ai akuzohet për shkelje të rregullave të sigurisë dhe mbrojtjes në punë.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se dyshimet paraprake lidhen me mungesën e masave të nevojshme të sigurisë në kantier, çka mund të ketë ndikuar drejtpërdrejt në aksidentin fatal. Policia po kryen verifikime për të përcaktuar nëse objekti ishte i pajisur me skela, rrjeta mbrojtëse dhe mjete sigurie personale për punëtorët.
Ndërkohë, familjarët e 65-vjeçarit kërkojnë zbardhje të plotë të ngjarjes, duke shprehur shqetësim për deklarata të ndryshme dhe kontradiktore nga persona të pranishëm në kantier në momentin e aksidentit.
“Duam të dimë saktësisht se ku po punonte. Ka versione të ndryshme, disa thonë se ka rrëshqitur në shkallë, të tjerë se ka rënë nga skela. Kërkojmë që e vërteta të dalë në dritë”, shprehet një familjar i viktimës.
Ngjarja rikthen në vëmendje problematikën e sigurisë në kantieret e ndërtimit, e cila vijon të mbetet një shqetësim serioz edhe gjatë vitit 2025, veçanërisht në zonën e Tiranës, ku intensiteti i ndërtimeve shpesh shoqërohet me neglizhencë të standardeve bazë të mbrojtjes së jetës së punëtorëve.
Hetimet pritet të përcaktojnë përgjegjësitë ligjore dhe nëse ndaj kompanisë ndërtuese do të merren masa të tjera penale apo administrative.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




