Gramoz Sako përfiton miliona nga bashkia që kërkon ta drejtojë
DENONCIMI
Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Genta Vangjeli, në një deklaratë për shtyp nga selia blu, ka denoncuar atë që e cilësoi si një tjetër rast abuzimi me fondet publike në Bashkinë e Tepelenës, duke kërkuar ndërhyrjen urgjente të SPAK-ut për hetim të plotë të tenderave të dyshimtë.
Sipas PD-së, nën drejtimin e kryebashkiakut Tërmet Peçi, fondet publike janë përdorur në interes të personave të lidhur me drejtues vendorë. Vangjeli përmendi rastin e Arta Shahës, ish-drejtoreshë ekzekutive për aktivitetet kulturore në bashki, e cila sipas demokratëve ka favorizuar bashkëshortin e saj, Çelik Shaha, në përfitimin e fondeve publike.
Sipas të dhënave të publikuara në platformën Spending Data, Çelik Shaha ka marrë projekte të financuara nga Bashkia Tepelenë me një vlerë totale rreth 154 mijë euro, çka PD e cilëson si një rast të pastër konflikti interesi.
Në të njëjtën deklaratë, Vangjeli akuzoi edhe kandidatin aktual të Partisë Socialiste për Bashkinë Tepelenë, ish-komandantin e Gardës së Republikës Gramos Sako, për lidhje të drejtpërdrejta me përfitime të mëdha nga kontratat publike.
Sipas PD-së, kompania “2T shpk”, në pronësi të vëllait të Sakos, ka përfituar rreth 103 milionë euro nga kontratat publike, ndërsa vetëm nga Bashkia Tepelenë – 1.8 milionë euro për projektet e ujësjellësit në Salari, Nivicë, Rexhinë dhe Peshtan.
Megjithë fondet e mëdha, demokratët pretendojnë se banorët e zonave përfituese vazhdojnë të vuajnë mungesën e ujit, ndërsa në Peshtan, ujësjellësi thuhet se nuk funksionon prej pesë vitesh.
“Këto janë prova të qarta të abuzimit me taksat e qytetarëve. SPAK duhet të hetojë pa vonesë tenderat e zhvilluar nga Bashkia Tepelenë,” tha Vangjeli, duke shtuar se kandidati socialist “ka prioritet tenderat për kompaninë e familjes së tij dhe jo mirëqenien e tepelenasve”.
Në përfundim të deklaratës, PD u bëri thirrje qytetarëve të Tepelenës të refuzojnë “korrupsionin, klientelizmin dhe investimet fiktive” dhe të votojnë për Gabriel Guman, kandidatin e opozitës në zgjedhjet e 9 nëntorit.
Deklarata e plotë:
Bashkia Tepelenë, e drejtuar nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste, ka treguar se nuk ka pasur asnjëherë në qendër të vëmendjes mirëqenien e qytetarëve, por përvetësimin e fondeve publike në xhepat e drejtuesve vendorë.
Me bekimin e kryetarit të bashkisë, Tërmet Peçi, pas Lorenc Bamit, drejtori i radhës që është kujdesur që taksat e tepelenasve të përfundojnë në xhepat e familjarëve është Arta Shaha, e cila ka mbajtur detyrën e Drejtorit Ekzekutiv për aktivitetet kulturore pranë kësaj bashkie.
Sipas të dhënave zyrtare të Spending Data, bashkëshorti i saj, Çelik Shaha, në konflikt të qartë interesi, ka përfituar fonde publike të prokuruara nga Bashkia Tepelenë për projekte kulturore e të tjera, në një vlerë prej të paktën 154 mijë euro.
Pavarësisht këtyre aferave, Partia Socialiste ka vendosur të kandidojë për këtë bashki një tjetër emër të denoncuar më parë nga opozita, ish-komandantin e Gardës së Republikës, Gramos Sako.
Dosja e tij në procesin e vetingut ngre dyshime serioze mbi standardet e përzgjedhjes dhe filtrat moralë që duhet të kenë kandidatët për poste publike.
Në lidhje me fondet publike, kompania ‘2T shpk’, në pronësi të vëllait të Gramos Sakos, rezulton sipas Spending Data të ketë përfituar rreth 103 milionë euro nga kontratat publike.
Vetëm nga Bashkia Tepelenë, kjo kompani ka përfituar 1.8 milionë euro për projektet e ujësjellësit në Salari, Nivicë, Rexhinë dhe Peshtan.
Megjithë pagesat e kryera, banorët e zonës denoncojnë mungesën e ujit në Salari dhe Rexhinë, ndërsa në Peshtan ujësjellësi nuk funksionon prej 5 vitesh.
Këto fakte janë prova të qarta të abuzimit me fondet publike dhe kërkojnë ndërhyrjen urgjente të SPAK-ut për hetimin e plotë të tenderave të dyshimtë të zhvilluar nga Bashkia Tepelenë.
Është e qartë se kandidati i Partisë Socialiste do të ketë prioritet tenderat për kompaninë e vëllait, dhe jo mirëqenien e qytetarëve të Tepelenës.
Partia Demokratike u bën thirrje qytetarëve të mos pranojnë më klientelizmin, korrupsionin dhe investimet fiktive, por të zgjedhin ndryshimin që sjell transparencë, ndershmëri dhe zhvillim të vërtetë.
Më 9 Nëntor, voto Gabriel Guma, voto për ndryshimin që i shërben qytetarëve të Tepelenës!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



