Greqi, 44-vjeçari shqiptar vret bashkëshortin e të dashurës së tij
Një ngjarje e rëndë kriminale është shënuar në Greqi.
Një 44-vjeçar me shtetësi shqiptare ka ekzekutuar me armë gjahu (çifte) një 51-vjeçar, baba i një fëmije të mitur, në fshatin Spathohori të Agrinjos. Viktima ishte kryeplaku i fshatit, por sipas burimeve policore për Publik.al, krimi nuk lidhet me detyrën e tij.
Hetimet paraprake flasin për një prapaskenë erotike. Dyshohet se autori kishte një lidhje intime me bashkëshorten e viktimës, çka ka qenë shkaku i konfliktit fatal.
Sipas policisë, autori i kishte ngritur pritë viktimës dhe, sapo ky u afrua me automjetin e tij, e qëlloi me çifte, armë të cilën e posedonte me leje, duke e lënë të vdekur në vend. Pas të shtënave, automjeti i viktimës ka përfunduar në një greminë, ku u gjet më vonë nga banorët e zonës.
Disa orë pas krimit, autori ka telefonuar komisariatin e policisë, duke pranuar autorësinë dhe duke shprehur dëshirën për t’u dorëzuar. Ai ka deklaruar se ishte i penduar për veprimin e kryer.
Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar edhe armën e krimit. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


