Hajdutët, SPAK-u dhe amerikanët që ‘u ka ikur zëri’

Hajdutët erdhën të parët. Të dytët hetuesit, prokurorët e gjykatësit, dhe të tretët, amerikanët.

Këta, u bënë bashkë e na thanë, “ligji do të jetë i barabartë për të gjithë, dhe në pak kohë, shqiptarët do të jenë pjesë e familjes evropiane”.

Pas 34 vitesh, ne nuk shohim as ligj të barabartë, as Evropë.

Pyeteni cilindo kryefamiljar që ndërtoi një kasolle pulash pa leje u dënua apo jo, dhe pyetni çdonjërin kryeministër për sa miliona dollarë korrupsion u akuzua dhe u pendua apo jo?!

Hajdutët e fuqishëm, na u bënë prokurorë, hetues, gjyqtarë, politikanë, zyrtarë, dhe burokratët hajdutë.

Prapë mblidhen bashkë, për të zgjidhur lëmshin që kanë ngatërruar vetë.

Ligji është çmendur e nuk bëhet më me këta që kemi, në Evropë kanë hyrë kriminelët, shqiptarët kanë marrë rrugët e Botës, amerikanëve u ka ikur goja.

Gojëtarët pro ligj, “luftojnë” nëpër studiot e televizioneve me gojë mëdhenjtë anti- ligj.

Ata që kanë ngrënë bashkë me mafien, japin leksione demokracie, kërcënojnë me prerje gjuhe në emër të Amerikës dhe Edi Ramës këdo e trashë zërin e zemërimit.

More, desh ja preu veshët në Parlament ministri i Drejtësisë një deputeti apo jo?!

Pak metra më tej, në “Luginën e Ujqërve”, burri i ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit therë me thikë Drejtorin e Agjencisë së Trajtimit të Kredive dhe sot është i lirë, të qëllojë e të vjedhë si do e sa i duhet mafies.

Doganat, portet, naftën, tokën dhe ujin i kontrollon mafia.

SPAK-u nuk e ngacmoi “vrasësin”, se është burrë ministreshe, amerikanët nuk hapën gojë, se duket nuk e kanë lexuar as hoxhën që i ka dalë kundër Polat Alemdarit që po luan novelën turke afër Surrelit, as Fan Nolin që para se një nënë me tre fëmijë të mbytet  në lumin Buna shkruante “Se pëlcet, kërcet furtuna/ Fryhet Vjosa, derdhet Buna.

Vjosën e ka zënë burri i Olta Xhaçkës, Bunën varkat që transportojnë drogë e shqiptarët serish shpresat i kanë varur tek hajdutët, SPAK-u dhe Amerika.

Nga Uashingtoni vrapon lajmi, se edhe Sekretari i Shtetit Gabriel Escobar u shkarkua, pasi mendohet të ketë ngrënë shumë “barë” këtej në Ballkan.

Në këtë fund të zi të bëmave të tyre, këta prapë po kuvendojnë, si para 34 vitesh, për të ndërtuar rrugën drejt të mirave që na presin, në mos në këtë jetë, në amshim!/Pamfleti

Publikuar nga Publik Media