E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Harta e re e bashkive, beteja që mund të përcaktojë zgjedhjet e 2027-ës
Lajme

Harta e re e bashkive, beteja që mund të përcaktojë zgjedhjet e 2027-ës

Reforma e re administrativo-territoriale pritet të rikthehet në qendër të debatit politik gjatë sesionit të vjeshtës, ndërsa mazhoranca synon që ndarja e re e pushtetit vendor të jetë funksionale për zgjedhjet lokale të vitit 2027.

Projektligji i propozuar nga Partia Socialiste parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46. Procesi ndodhet aktualisht në fazën e konsultimeve me qytetarët dhe këshillat bashkiakë, ndërsa disa prej njësive që parashikohet të shkrihen kanë shprehur kundërshtime ndaj propozimit.

Konsultimet pritet të përfundojnë gjatë muajit shtator, pas së cilës projektligji do të kalojë për shqyrtim në Kuvend. Por afatet e ngushta kohore kanë ngritur shqetësime për mënyrën se si reforma mund të ndikojë në përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore.

Ndryshimi i hartës territoriale do të kërkojë përshtatje të administratës vendore, riorganizim të strukturave dhe përditësim të procedurave zgjedhore. Edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhet të përshtatë proceset dhe teknologjinë e përdorur në zgjedhje, ndërsa partitë dhe qytetarët duhet të kenë të qartë në kohë njësitë administrative ku do të zhvillohet gara.

Ekspertët paralajmërojnë se miratimi i një reforme të tillë vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve mund të krijojë jo vetëm vështirësi administrative, por edhe probleme sa i përket besimit të qytetarëve në proces.

Afrim Krasniqi, nga Instituti i Studimeve Politike, vlerëson se reforma territoriale duhej të ishte përfunduar shumë më herët dhe se nuk duhet të zhvillohej paralelisht me reformën zgjedhore. Sipas tij, përcaktimi në kohë i hartës territoriale do të mundësonte organizimin më të qartë të zonave, kompetencave dhe procedurave që lidhen me zgjedhjet.

Nëse reforma miratohet gjatë vjeshtës, institucionet do të kenë një periudhë të kufizuar për miratimin e akteve nënligjore dhe zbatimin e ndryshimeve në njësitë vendore. Bashkitë që do të bashkohen do të duhet të riorganizojnë strukturat administrative, ndërsa institucionet zgjedhore do të duhet t’i përfshijnë ndryshimet në përgatitjet për zgjedhjet.

Përplasja politike për numrin e bashkive

Debati për hartën e re nuk lidhet vetëm me eficiencën e administratës vendore. Dy forcat kryesore politike kanë paraqitur alternativa dukshëm të ndryshme.

PS propozon reduktimin e numrit të bashkive në 46, ndërsa Partia Demokratike kërkon zgjerimin e tyre në 100 njësi vendore. Zyrtarisht, të dyja palët i argumentojnë propozimet me nevojën për një organizim më të mirë të pushtetit vendor, por ekspertët ngrenë pikëpyetje edhe për ndikimin që këto modele mund të kenë në rezultatin zgjedhor.
Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, e konsideron përcaktimin e kufijve të bashkive një element me rëndësi të veçantë për gjeografinë elektorale. Duke qenë se kryetarët e bashkive zgjidhen me sistem mazhoritar, mënyra se si grupohen njësitë administrative mund të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën se si votat përkthehen në mandate dhe pushtet.

Sipas kësaj analize, bashkitë më të mëdha mund të favorizojnë partitë me organizim të fortë në qendrat urbane. Në rastin e propozimit për 46 bashki, zonat rurale dhe periferike ku opozita mund të ketë mbështetje më të madhe do të përfshiheshin në njësi më të gjera, duke rritur peshën e qendrave urbane.

Në anën tjetër, modeli i propozuar nga PD për 100 bashki do të krijonte më shumë njësi dhe rrjedhimisht më shumë gara lokale, të cilat mund të ishin më konkurruese.

Reforma mund të ndikojë edhe në përbërjen e këshillave bashkiakë, ku zbatohet sistemi proporcional. Në bashkitë më të mëdha do të ketë më shumë vende në këshilla, duke ulur pragun efektiv për përfaqësimin e forcave më të vogla. Ndërsa në njësitë më të vogla, numri më i kufizuar i mandateve mund të rrisë pragun natyror dhe të favorizojë partitë kryesore.

Shtatori, muaj vendimtar

Përtej përplasjes politike, një tjetër çështje që mbetet në diskutim është koha e zbatimit të reformës. Zgjedhjet e fundit vendore u zhvilluan më 14 maj 2023 dhe përgatitjet për zgjedhjet e vitit 2027 tashmë kërkojnë përcaktimin në kohë të rregullave dhe njësive ku do të votohet.

Ekspertët paralajmërojnë se çdo vonesë mund të shtojë presionin mbi KQZ-në dhe administratën vendore. Ndryshimet në ndarjen territoriale do të kërkonin përshtatjen e procedurave, pajisjeve dhe teknologjisë së votimit, si dhe riorganizimin e administratave të bashkive që do të bashkohen.

Në këtë situatë, shtatori pritet të jetë vendimtar për të kuptuar nëse propozimi për 46 bashki do të ecë përpara, do të ndryshohet apo do të përballet me një kundërshtim më të gjerë politik dhe qytetar.

Në thelb, beteja për hartën e re territoriale nuk është thjesht një debat mbi mënyrën e organizimit të pushtetit vendor. Kufijtë e rinj të bashkive mund të përcaktojnë edhe terrenin ku do të zhvillohet gara politike e vitit 2027.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.