Harta Gjyqësore dhe përgjimi i gjyqtarëve të GJK e GJL: Dy gabime
të rënda që duhet korrigjuar menjëherë
E para: Sot pas 5 vjetësh Harta Gjyqësore është një dështim i madh
U bë e njëanshme, u tha se e donte BE-ja, u miratua me arrogancë, pa dëgjuar ekspertët. E kundërshtova shumë para 5 vjetësh se do sillte kolaps. Edhe Erinda nga Komiteti i Helsinkit e kundërshtoi fuqishëm, por nuk u dëgjua, as avokatët dhe as shoqatat e tjera. Kaluan 5 vjet dhe sot kemi një stok prej 141.000 dosjesh në deadlock, nga të cilat rreth 44.000–45.000 janë vetëm në Apel. Nuk ishte e vështirë të parashikohej para 5 vjetësh që nuk mund të krijosh një Apel të Përgjithshëm me 75 gjyqtarë, kur ke një godinë të projektuar vetëm për 20.
Tani e kuptojmë të gjithë që është bërë gabim dhe është dështim. Nuk po kërkoj të thoni se “kishim të drejtë” dhe as ndjesë! Po ju pyes: Pse nuk e ndryshoni? Çfarë prisni? Ndryshojeni nesër! Kjo nuk është çështje PS-PD apo partish të tjera. Është çështje e 141.000 familjeve që presin drejtësi dhe po ua mohoni. Mos më thoni se “nuk na le BE-ja”. Këtu janë përfaqësuesit e saj dhe nuk e besoj se është e vërtetë. Ndryshoni! Mos i zvarritni njerëzit edhe 5 vjet të tjera.
E dyta: Kemi bërë gabim të rëndë edhe me Kodin e Procedurës Penale me përgjimin e gjyqtarëve!
Para 10 vjetësh (jo unë, unë dhe PD kemi qenë kundër) miratuam nenet 221 e vijues që prokurorët mund të përgjojnë gjyqtarët e GJL dhe GJK. Ky është një gabim i madh që krijon probleme serioze për balancën e pushteteve, cënin të imunitetit funksional të gjyqtarëve dhe rrezik potencial shantazhi në vendimarje. Mazhoranca mund të mos e ketë problem sepse ka fuqinë ta refuzojë presionin e prokurorisë me kartona, o por qytetari i thjeshtë jo dhe opozita e ka provuar ne kurrizin e vet.
Ka qenë gabim para 10 vjetësh? Po. Pse nuk e ndryshoni sot?
E kuptojmë të gjithë që është e gabuar: prokurori nuk mund ta përgjojë anëtarin e GJK ose GJL që është në proces, sepse krijon implikim të rëndë në balancën e drejtësisë. Pse duhet të presim akoma duke mbajtur këtë nen të çuditshëm dhe vrastar për pavarësinë e gjyqësorit?
Kjo nuk ka të bëjë as me PS-në, as me PD-në, dhe as nuk besoj atë justifikim se nuk na lejon BE, sese askund në BE nuk ndodh! Këtu jemi le të diskutojmë hapur!
Shpresoj që të dyja këto çështje të kapërcejnë kufijtë partiakë dhe të përmirësojnë, sado pak, jetën e qytetarëve nëpërmjet dhënies së drejtësisë së shpejtë dhe të pavarur dhe të kete një vendimarrje të shpejtë!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



