HEC Kalivaçit/ Shqipëria fiton përballjen ndaj Becchetit , reagon ministri Gjiknuri
Ministri Damian Gjiknuri ka reaguar me anë të një statusi në rrjetin socialk facebook, menjëherë pas lajmit se Shqipëria ka fituar përballjen në Arbitrazh ndaj Francesko Becchetit për hidrocentralin e Kalivaçit.
Gjiknuri në statusin e tij e cilëson si një lajm shumë të mirë fitoren ndaj Becchetit si edhe ka falenderuar ekipin që përfaqëson Shqipërinë në Arbitrazh.
Gjithashtu ministri theksoi se në vijim hidrocentrali do të mund të konkretizohet nga një investitor më serioz.
Sipas tij, Arbitrazhi konfirmoi edhe njëherë vërtetësinë e asaj që është deklaruar që në fillim për koncesionin e hidrocentralit të Kalivaçit.
Statusi i plotë i Gjiknurit:
“NJË LAJM SHUMË I MIRË. Të dashur miq! Shqipëria fitoi një përballje të rëndësishme në Arbitrazhin Ndërkombëtar të ICC kundrejt shoqërisë Hydro S.R.L. Gjej rastin të shpreh një falënderim të veçantë për ekipin që përfaqësoi Shqipërinë në arbitrazh: juristët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për punën e bërë dhe Avokaturën e Shtetit, e cila me profesionalizëm udhëhoqi me sukses këtë proces. Vendimi i arbitrazhit konfirmoi edhe njëherë vërtetësinë e asaj çka ne kemi deklaruar që në fillim për koncesionin e hidrocentralit të Kalivaçit. Kjo vepër e rëndësishme energjetike tashmë do të mund të konkretizohet nga një investitor serioz”, shkruan Gjiknuri në ‘FB’.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



