Hetimet për vrasjen e Klaudio Prendit i kalojnë SPAK-ut, autorët grup i strukturuar kriminal
Hetimet për vrasjen e Klaudio Prendit, i kanë kaluar për kompetencë SPAK.
Mësohet se do të jetë Prokuroria e Posaçme që do të hetojë ekzekutimin e 27-vjeçarit, i cili u vra me armë me silenciator në afërsi të Xhamllikut.
Burimet shprehen se ka dyshime se autorët i përkasin grupi të strukturuar kriminal.
27-vjeçari Klaudio Prendi u vra në orët e para të së martës së 19 Nëntorit. Makina tip “Audi A4” e autorëve, e cila u shkrumbua në zonën e Farkës, rezultoi e vjedhur një vit më parë në zonën e Liqenit Artificial në kryeqytet.
Identifikimi u bë nga numri i shasisë së makinës që u rikuperua nga ekspertët. Pronari i mjetit e ka denoncuar mjetin e vjedhur që në kohën kur ka ndodhur ajo.
Në syrin e grupit hetimor janë edhe pistat e fajdeve dhe basteve sportive, përfshirë edhe lidhje me aktivitete apo lidhje të dyshimta jashtë vendit. Agjentët kanë dyshime se persona të ndryshëm kanë fituar shuma të mëdha parash në baste, të cilat Prendi nuk i ka shlyer.
I riu u qëllua kur la ambientet e lokalit dhe u fut në mjetin e tij. Sapo mbylli derën e shoferit, autorët me “Audi” e qëlluan me armë. Më pas ata u arratisën drejt Farkës, ku dogjën makinën. Aty policia ka gjetur një pistoletë plotësisht të shkrumbuar.
Policia ka mësuar se Klaudio Prendi ka pasur një shumë rreth 15 mijë Euro për të kthyer dhe për këtë arsye dyshohet se është konfliktuar me grushta disa ditë më parë.
Kjo është një tjetër pistë në tavolinën e hetuesve, por deri më tani nuk dihet me saktësi se çfarë fshihet pas ngjarjes.
Babai i viktimës, ish-gjyqtari Fran Prendi, në dëshminë e tij ka thënë që ishte në dijeni që djali i tij kishte konflikte me të tjerë, por nuk e mendonte sa do të përfundonte deri në atentat.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



