Hetimi i ngjarjes së rëndë të Pogradecit, dyshimet pse Prokuroria zbuti veprën penale për Denis Meçen
Ajo që dihet tashmë zyrtarisht, e konfirmuar edhe nga policia, është fakti se viktima, në gjendje të dehur, ka shkuar në lokalin ku ndodhi më pas vrasja për të pirë sërish.
Ngjarja e rëndë e Pogradecit ku mbeti i vrarë Egli Proga dhe pak orë pas ngjarjes u arrestua autori i saj Denis Meçe, u bë lajmi më i rëndësishëm i këtyre ditëve të nxehta të gushtit.
Kjo edhe për shkak të disa raportimeve fillestare mbi mënyrën se si ndodhi vrasja e Progës, por edhe pas reagimit të familjarëve që hodhën akuza të rënda për mënyrën se si po hetohej ngjarja.
Ajo që dihet tashmë zyrtarisht, e konfirmuar edhe nga policia, është fakti se viktima, në gjendje të dehur, ka shkuar në lokalin ku ndodhi më pas vrasja për të pirë sërish.
Megjithëse u raportua se sherri mes Progës dhe Meçes ka ndodhur për shkak të gjobëvënies nga ky i fundit, asnjë dëshmitar dhe asnjë dokument zyrtar nuk e provon këtë.
Sipas të dhënave zyrtare, përveç viktimës që ka qenë në gjendje të dehur, edhe autori, siç ka deklaruar edhe vetë, ka qenë edhe ai në gjendje të dehur.
Sherri ka nisur mes dy personave në gjendje të dehur, ku viktima pasi i ka dhënë një cigare autorit, ka nisur ta shajë.
Të dy më pas kanë dalë jashtë dhe Meçe e ka goditur Progën duke i shkaktuar atij vdekjen. Sipas raportimit, pasi është goditur Proga ka rënë fillimisht mbi një makinë dhe më pas koka e tij ka rënë në toke.
Dinamika është përshkruar në materialin zyrtar që policia i ka dërguar Prokurorisë, bashkë edhe me njoftimin që i ka shkuar urgjencës në momentin që është lajmëruar për ngjarjen.
Nisur nga kjo kronologji dhe pyetjes së dëshmitarëve, çuditërisht prokuroria ka regjistruar veprën penale “vrasje nga pakujdesia”, duke e zbutur rrjedhimisht edhe dënimin e tij nëse do të shpallet fajtor.
Gjykata nga ana e saj ka lënë në fuqi masën që ka kërkuar prokuroria, çka ka nxitur edhe revoltën e madhe, te familjarët por edhe në rrjetet sociale./ TCH
Denis Meçe
Gjykata e Korçës refuzoi kërkesën e avokatit të Denis Meçes, Eduart Muçi, për garanci pasurore.
Avokati i ka kërkuar gjykatës që të caktojë si masë sigurimi “arrestin në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ose “Garancia pasurore” në shumën 1.000.000 lekë të rinj, e cila është një vlerë e konsiderueshme dhe i garanton gjykatës që nëse ky person i fshihet drejtësisë dëmi ekonomik do të jetë tepër i madh.
“Avokati Eduart Muçi si mbrojtës i zgjedhur për shtetasin e arrestuar Denis Meçe deklaroi se ky shtetas nuk ka pasur për qëllim t’i fshihet drejtësisë, largimi i tij menjëherë pas ngjarjes ka qenë i pavullnetshëm dhe në kushtet kur ka qenë i dehur. Ai ka fjetur në automjet derisa është përmendur, ka telefonuar atë si avokat, dhe pasi i është shpjeguar se çfarë kishte ndodhur, vetë i ka kërkuar për ta shoqëruar për në Komisariatin e Policisë. Vullneti i tij ka qenë për të dhënë shpjegime në lidhje me sa ka ndodhur, pasi ai nuk ka pasur për qëllim të kryejë vrasjen e një shtetasi, dhe as të largohet, pavarësisht se pasoja është e rëndë dhe kemi të bëjmë me humbjen e një jete.
Sipas mbrojtjes, arrestimi në flagrance i këtij shtetasi duhet të cilësohet si i ligjshëm, por kërkohet që ndaj këtij shtetasi të caktohet një tjetër masë sigurimi, e ndryshme nga arresti në burg, mbajtur parasysh marzhin e dënimit që parashikon dispozita, rrethanat e kryerjes së veprës penale, mënyrën si ka ndodhur ngjarja, qëndrimin e personit nën hetim, faktin që nuk ka qenë i dënuar më pare, faktin që nuk ekziston mundësia për t’u larguar apo për t’iu fshehur drejtësisë, faktin që nuk ka mundësinë e dëmtimit apo prishjes së provave. Kërkohet nga gjykata që të caktohet si masë sigurimi “arrestin në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ose “Garancia pasurore” në shumën 1.000.000 lekë, e cila është një vlerë e konsiderueshme dhe i garanton gjykatës që nëse ky person i fshihet drejtësisë dëmi ekonomik do të jetë tepër i madh.
Vetë shtetasi nën hetim Denis Meçe deklaroi se është dakord me sa parashtroi avokati. Ai kërkon ndjesë dhe është tepër i keqardhur për sa ka ndodhur, pas ai nuk ka pasur për qëllim ta dëmtojë dhe aq më tepër ta vrasë të ndjerin”, thuhet në dosje.
Në lidhje me llojin e masës së sigurimit personal për shtetasin Denis Meçe, gjykata vlerëson se referuar kritereve të përcaktuara në nenin 229 të K.Pr.Penale, si dhe duke mbajtur parasysh shkallën e nevojave të sigurimit në rastin konkret, rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale për të cilën dyshohet ky shtetas por edhe rrezikshmërinë e autorit, rrethanat dhe mënyra e konsumimit të veprës për të cilën ai dyshohet, mbi të gjitha pasoja e rëndë që ka ardhur ku ka humbur jetën një person, masa e sigurimit “arrest në burg” e kërkuar nga Prokuroria është e përshtatshme.
Sipas gjykatës, shkalla e nevojave të sigurimit në rastin konkret ka të bëjë me ekzistencën e mundësisë të personit të dyshuar për t’ju shmangur procedimit penal duke qenë se akuzohet për një krim që parashikon dënim me burgim, por edhe me faktin se i hetuari mund të kryejë vepër penale po kaq të rëndë apo më të rëndë, duke mbajtur parasysh këtu faktin që ai paraqitet person me precedent të mëparshëm penal, por edhe me rrezikun për të ndikuar në marrjen apo vërtetësinë e provave.
Po ashtu, Gjykata sjell në vëmendje faktin se referimi nga policia është bërë për veprën penale të parashikuar nga neni 76 i K.Penal, pavarësisht se i përket Prokurorisë të çmojë se për çfarë vepre duhet të regjistrojë procedimin penal, referuar provave që disponon apo indicieve të bazuara në prova në lidhje me veprën penale. Aktualisht jemi në momentet e para të hetimit dhe Prokuroria disponon vetëm të dhënat e grumbulluara deri në këto momente, ndërkohë që janë duke u kryer veprime të tjera hetimore si marrja e konkluzioneve të akteve të ekspertimit mjeko-ligjor për viktimën, këqyrja me ekspert e kamerave që janë marrë nga objekte afër vendit të ngjarjes, etj, prej të cilave në vijim pritet të zbardhet plotësisht dinamika e ngjarjes dhe për rrjedhim mund të arrihet edhe në konkluzione të ndryshme lidhur me kualifikimin ligjor të faktit penal, të ndryshëm apo më të rëndë nga ajo për të cilën është regjistruar fillimisht procedimi penal për këtë shtetas.
Duke mbajtur parasysh sa më sipër, Gjykata çmon se, ndryshe nga sa pretendon mbrojtja për një masë më të lehtë, masa e sigurimit personal “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e aplikuar ndaj shtetasit Denis Meçe, i përgjigjet të gjitha kushteve dhe kritereve ligjore dhe është në përputhje me rëndësinë e faktit dhe shkallën e nevojave të sigurimit, dhe se asnjë masë tjetër sigurimi personal nuk mund të jetë e përshtatshme në rastin konkret.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



