Hetimi pasuror nga SPAK, shfazon Metën: Rrëmbeni armët, unë kallashin e kam gati
Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta pas një jave të vështirë ku u mor në pyetje nga SPAK për pasurinë, vazhdon të jetë ende në tension.
Nga Roskoveci, kreu i Partisë së Lirisë me tone të larta i bëri thirrje banërëve të marrin armët.
“Edhe armët duhen marrë. Mua këtu më keni me kallash në dorë. Nuk më dridhet dora fare. Mobilizoni edhe njerëzit që keni jashtë. Vetëm huri i ndan punët me këta”, tha Meta.
Teksa mori varenë dhe goditi një prej piketave të vendosura, të cilin e quajti termocentral kriminal, Meta bëri thirrje për mobilizim për moslejimin e ndërtimit të TEC-it.
“Mua këtu më keni me kallash në dorë, di të qëlloj mirë, nuk më dridhet dora”, u shpreh presidenti i PL-së, teksa theksoi se “merrni çdo mjet kundër këtyre maskarenjve”.
“Nuk ka nevojë as kjo zonë dhe as Fieri për të bërë një termocentral kriminal, për llogari të Edi Ramës dhe Engjëll Agaçit, me gjoja letrat e firmës greke, por ka nevojë për të bërë zonë të lirë industriale atje, buzë detit në Fier që të punojnë të rinjtë e të rejat e Fierit.
Qëllimi është shkatërrimi i bujqësisë dhe blegtorisë, largimi juaj prej këtu, që Shqipëria të kthehet në një gropë të madhe termocentralesh kriminale e inceneratorësh që të vjedhin pafund. Qëndresë heroike, edhe këto piketat që kanë vendosur këtu, ku është vareja, merrni çdo mjet kundër këtyre maskarenjve, kundër këtyre pushtuesve.
Edhe armët duhen marrë për të mbrojtur këta kalamaj, mua këtu më keni me kallash në dorë, di të qëlloj mirë, nuk më dridhet dora. Edhe njerëzit kudo ku i keni jashtë, mobilizojë”, tha Ilir Meta.
Ju rikujtojmë se këtë javë Ish-Presidenti i Republikës ishte në Prokurorinë e Posaçme, duke shënuar herën e tretë që mbërrin si deklarues në këtë institucion.
E ndërsa prej disa javësh i kishte ndalur sulmet verbale publike ndaj SPAK, në pragun e institucionit ai riktheu etiketimet fyese ndaj titullarit Altin Dumani. Presidenti i Partisë së Lirisë dha shpjegime për llogari të hetimit pasuror që po zhvillohet ndaj tij dhe bashkëshortes, Monika Kryemadhi.
Filtrimi i pasurisë së tyre është pjesë e të njëjtës dosje hetimore me lobimit 700 mijë euro të LSI në SHBA, si edhe kallëzimit për shpenzime të pajustifikuara për ndërhyrje estetike në një klinikë jashtë vendit.
Pasi qëndroi për gati 3 orë e 20 minuta para prokurorëve, Ilir Meta u shfaq para gazetarëve i inatosur shumë larg refrenit të tij të dikurshëm të dashurisë e qetësisë.
“Jam pyetur 3 orë kot më kot, për gjëra që nuk kanë asnjë lidhje me mua, që kanë të bëjnë me veprimet e të tjerëve. Jam pyetur në cilësinë e kundërshtarit të këtij narkoshteti dhe narkoregjimi që e mban në këmbë Dum dumani. Në vend të ndalojë gjithë ato PPP që janë rrjedhja më e madhe financiare e këtij vendi, merret me përrallat e laraskave të tij. Tani po iki se kam sipërmarrjen, kam tryezën. Dum dumani këtë do, të mos merremi. Bën tërë ato akte kriminale kundër opozitës për të shpëtuar Edi Ramën”.
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i është bashkuar sot protestës së banorëve të Roskovecit, të cilët janë ngritur kundër ndërtimit të një termocentrali që rrezikon të ndotë zonën, ” për të mbrojtur komunitetin e mrekullueshëm nga Kryebanditi Edi Rama, i cili kërkon të shkatërrojë bukuritë dhe potencialet e jashtëzakonshme të kësaj treve për zhvillim, si dhe t’i helmojë banorët me ndërtimin e TEC-it” siç u shpreh,
“Jam sot këtu me komunitetin e mrekullueshëm të Roskovecit, – nënvizoi Meta, – me këshilltarët, drejtuesit e opozitës dhe gjithë grupet e interesit, që kërcënohen për t’u helmuar nga investim kriminal që bën Edi Rama duke e menduar Roskovecin si në komunitet që thyhet, nënshtrohet lehtë, për të prodhuar miliarda për interesat e tij, për një TEC që do të jetë për eksport në Greqi.
Të shkojë kompania greke ta bëjë TEC-in në Greqi! Ç’punë ka me Roskovecin?! Si mundet të shkatërrohet një pasuri e tillë e ndërtuar me mund për dekada?! Janë me dhjetëra e dhjetarë ha sera që janë investuar dhe që marrin zero mbështetje nga qeveria, sa janë detyruar njerëzit që t’i braktisin në pjesë të madhe këto troje që duhet të prodhojnë begati për këta fëmijë.
Prandaj jam këtu me ju kundër kësaj veprimtarie kriminale që është si dy pika uji me inceneratorin famëkeq dhe u habita kur pashë një emër Agaçi aty tek rruga e më thanë që qenka nip këtej. M’u kujtua Ëngjëll Agaçi (nuk kam lidhje me atë unë, nuk kam lidhje me mbiemrin). Edhe nipi i Skënderbeut, Kastrioti e kishte mbiemrin, po Hamzai ishte palaço, Skënderbeu ishte hero.
Pra, nuk ka lidhje, po ka lidhje me këtë tjetrën që të ketë turp Ëngjëll Agaçi që është bërë bashkë me Edi Ramën, me Majlinda Bufin, për ta bërë TEC-in këtu sepse e kanë menduar si më kollaj për të nënshtruar këtë zonë dhe shkatërruar atë.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





