Hidhen në vilat pa leje të ish-deputetit të PS-së, Vladimir Kosta
Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) ka nisur operacione shembjeje për disa vila në zonën e Sauk, Tiranë, në kuadrin e një plani operativ për ndërtimet pa leje.
Operacioni i Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) në zonën e Saukut ka vënë në lëvizje policinë dhe prokurorinë, pas evidentimit të disa ndërtimeve pa leje në një kompleks rezidencial luksoz.
Mësohet se për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, në kërkim janë shpallur Elga Kosta, 55 vjeç, pronare e subjektit “Austrian Construction Albania”, administratori i kompanisë Stavro Suloti, si edhe arkitektja e projektit. Hetimet janë pjesë e operacionit të koduar “Wrong Project”, i cili synon verifikimin e ndërtimit të tre vilave që dyshohet të jenë jashtë kritereve të miratuara nga Bashkia e Tiranës.
Nga ana tjetër, kompania “Austrian Construction Albania” ka reaguar publikisht duke deklaruar se disponon leje ndërtimi të vlefshme nga Bashkia e Tiranës dhe se nuk ka tejkaluar parametrat e përcaktuar në projekt. Në dokumentin e lejes figuron se një nga pronarët e truallit është ish-deputeti socialist Vladimir Kosta, ndërsa zhvillues është kompania “Austrian Construction Albania”, dhe subjekt ndërtues “Lani sh.p.k.”
Sipas të dhënave të publikuara nga vetë shoqëria, leja përfshin ndërtimin e një kompleksi rezidencial me vila 1, 2 dhe 3-katëshe, me nëntokë, pishina dhe hapësira të gjelbëruara, të ndërtuara në përputhje me planin urbanistik të miratuar. Kompania thekson se janë miratuar 33 vila, nga të cilat janë ndërtuar 31, duke respektuar kufijtë ligjorë.
Megjithatë, IKMT dhe Policia e Tiranës kanë nisur procesin e shembjes së disa godinave, pasi sipas verifikimeve zyrtare, një pjesë e ndërtimeve është realizuar pa leje ndërtimi ose në devijim nga projekti origjinal. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, e cila ka nisur hetimet për ndërtim të paligjshëm dhe falsifikim dokumentacioni.
Zhvillimet pritet të sjellin përplasje të reja ligjore mes zhvilluesve privatë dhe autoriteteve vendore, teksa debati për ndërtimet pa leje në zonat elitare të Tiranës po rikthehet sërish në qendër të vëmendjes publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



